Çavusoglu dhe Blinken diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken u takuan në margjinat e ministerialit të NATO-s në Riga të Letonisë.

1741632
Çavusoglu dhe Blinken diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale

Gjatë vizitës së tij në Letoni, ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

Bisedimet u zhvilluan në Qendrën e Kongreseve “Atta” në Riga, ku mbahet edhe takimi i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

Para takimit, kreu i diplomacisë turke u tha gazetarëve se ai ishte i lumtur që po takohej sërish me Blinken.

Ministri i Jashtëm vuri në dukje se palët do të duhet të diskutojnë për shumë çështje, duke përfshirë temat e ngritura gjatë bisedimeve mes Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe Presidentit amerikan Joe Biden në Romë dhe vendimet e marra.

“Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë aleatë të NATO-s. Në kuadër të takimit do të bëhet një shkëmbim mendimesh për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për çështjet rajonale si: Ukraina, Libia, Siria dhe Afganistani”, u tha Çavushollu gazetarëve.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit Blinken shprehu gjithashtu kënaqësinë për takimin me ministrin e Jashtëm turk.

Sipas tij në kuadër të këtij takimi, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, si dy vende aleate, do të diskutojnë një sërë çështjesh.

“Si aleatë të NATO-s, sot do të diskutojmë situatën në dhe rreth Ukrainës, si dhe në Ballkanin Perëndimor dhe Kaukaz”, u shpreh Blinken.

Po ashtu, Sekretari amerikan i Shtetit vuri në dukje se ai dhe homologu i tij turk do të kenë mundësi të diskutojnë çështjet e bashkëpunimit dhe agjendën rajonale.



Lajme të ngjashme