Erdogan: Kemi sistemin më të shpejtë dhe më efektiv në botë të reagimit ndaj fatkeqësive

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të premten se Turqia ka sistemin më të shpejtë, më efektiv dhe më praktik në botë të reagimit ndaj fatkeqësive.

1739427
Erdogan: Kemi sistemin më të shpejtë dhe më efektiv në botë të reagimit ndaj fatkeqësive

Ky vlerësim i kreut të shtetit turk erdhi gjatë ceremonisë së dorëzimit të banesave dhe ambienteve të biznesit për njerëzit e prekur nga tërmeti i një viti më parë në Izmir.

Ai theksoi se po punojnë ditë e natë për të shëruar plagët e viktimave të tërmetit.

“Ne s'kemi lënë askënd të uritur, të pastrehë, të pambrojtur, të pazot apo të pashpresë. Ne kemi zgjidhur çdo çështje të qytetarëve tanë, të cilët jetuan pikëllimin e jetëve të humbura dhe të shtëpive të tyre të shkatërruara, pa u shkaktuar atyre telashe shtesë. Ashtu siç ngritëm ndërtesa të reja në Elazig dhe Malatie për një periudhë të shkurtër njëvjeçare në vend të atyre të shkatërruara, ne bëmë të njëjtën gjë edhe në Izmir”, shtoi presidenti.

Pas tërmetit të një viti më parë - vijoi Erdogani - ne jo vetëm që fashitëm dhembjet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi, por edhe përshpejtuam projektet e transformimit urban që vazhdonin në Izmir.

“Ne kemi realizuar gjithçka u kemi premtuar vendit tonë dhe qytetarëve tanë deri më sot. Vendi ynë ka sistemin më të shpejtë, më efektiv dhe më praktik në botë të reagimit ndaj fatkeqësive”, theksoi lideri turk.

Erdogani uroi që banesat e reja të sjellin mbarsi për të prekurit nga tërmeti i vitit të kaluar në Izmir.

Në ceremoni u dorëzuan 596 banesa dhe 145 ambiente biznesi të përfunduara në kuadër të 6 projekteve për qytetarët që u janë shembur ose dëmtuar rëndë shtëpitë apo bizneset nga tërmeti i 30 tetorit 2020.

Tërmeti i vitit të kaluar shkaktoi mbi 100 të vdekur dhe më shumë se 1 mijë të plagosur.



Lajme të ngjashme