Reisi: Lufta kundër terrorizmit mund të jetë boshti i bashkëpunimit Teheran-Ankara

Presidenti iranian Ibrahim Reisi tha se lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar mund të jetë boshti i bashkëpunimit mes Teheranit dhe Ankarasë.

1734477
Reisi: Lufta kundër terrorizmit mund të jetë boshti i bashkëpunimit Teheran-Ankara

Presidenti iranian Ibrahim Reisi tha se lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar mund të jetë boshti i bashkëpunimit mes Teheranit dhe Ankarasë.

Sipas deklaratës së Presidencës së Iranit, Reisi priti ministrin e Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, i cili zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Teheran.

Duke u shprehur se Irani dhe Turqia duhet të jenë të gatshme për t'i rritur marrëdhëniet e tyre nga niveli aktual në bashkëpunim shumëplanësh, Reisi tha se me përgatitjen e një memorandumi bashkëpunimi afatgjatë, marrëdhëniet dypalëshe mund të sillen në nivel ndërkombëtar.

Ai u shpreh se marrëdhëniet e ngushta mes Iranit dhe Turqisë do t'i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe shtoi: "Bashkëpunimi rajonal midis dy vendeve duhet të kthehet në bashkëpunim në arenën globale. Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar mund të formojë boshtin e bashkëpunimit mes Teheranit dhe Ankarasë. Irani është i gatshëm të rrisë nivelin e bashkëpunimit në këtë fushë."

Duke vënë në dukje se rritja e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik është në interes të popujve, Reisi tha se duke zhvilluar bashkëpunimin mes Turqisë dhe Iranit, ata mund të ndikojnë edhe në ekuilibrat botëror.

“Përtej marrëdhënieve fqinjësore, Irani ka lidhje të thella fetare dhe kulturore me Turqinë dhe Azerbajxhanin”, tha Presidenti iranian Ibrahim Reisi.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu tha gjithashtu se duan të zhvillojnë bashkëpunimin me Iranin, "Ne e shohim qeverinë e re të Iranit si një qeveri të orientuar drejt rezultateve. Jemi të vendosur të rrisim nivelin e bashkëpunimit me Teheranin sa më shumë që të jetë e mundur."

Duke thënë se synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin me Iranin për të rritur marrëdhëniet tregtare dhe stabilitetin në Kaukaz, Çavusoglu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Iranin në luftën kundër terrorizmit.

Kurse në një deklaratë në llogarinë e tij në “Twitter”, Çavusoglu shkroi: "Ne diskutuam me Presidentin e Iranit zhvillimet e fundit në rajonin tonë, duke përfshirë tregtinë, investimet dhe luftën kundër terrorizmit. Ne konfirmuam vullnetin tonë të përbashkët për të zhvilluar më tej marrëdhëniet tona."



Lajme të ngjashme