Në Tiranë u zhvillua ceremonia e përfundimit të projektit "Gastro-Diplomacia Turqi-Shqipëri"

Në kuadër të projektit të filluar nga zonja e Presidentit të Republikës së Turqisë, Emine Erdogan, u organizua në Tiranë aktiviteti "Gastro-Diplomacia Turqi-Shqipëri.

1734531
Në Tiranë u zhvillua ceremonia e përfundimit të projektit "Gastro-Diplomacia Turqi-Shqipëri"
Gastro-Diplomasi Türkiye-Arnavutluk 9
Gastro-Diplomasi Türkiye-Arnavutluk 8
Gastro-Diplomasi Türkiye-Arnavutluk 4

Në Tiranë u zhvillua ceremonia e përfundimit të projektit "Gastro-Diplomacia Turqi-Shqipëri

Në kuadër të projektit të iniciuar nga zonja e Presidentit të Republikës së Turqisë, Emine Erdogan, u organizua në Tiranë aktiviteti "Gastro-Diplomacia Turqi-Shqipëri",  me temë “Mësimi i kuzhinës turke”, ku u ndanë edhe certifikatat për gratë shqiptare që ishin pjesë e kursit mbi kulinarinë turke, të trajnuara nga mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri dhe institucioneve të ndryshme shqiptare.

Një ceremoni për dhënie certifikatash është organizuar në përfundim të kursit të mësimit të kuzhinës turke, ndjekur nga 25 nëna të fëmijëve jetimë të mbështetur në vazhdimësi nga Fondacioni ALSAR.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në aktivitetin ku u prezantuan edhe gatimet e realizuara gjatë kursit tha se do të vazhdojnë mbështetjen në kuadër të këtyre projekteve.

"…Sot jemi grumbulluar të gjithë së bashku për të bërë përurimin e gjithë atyre produkteve të cilat janë gatuar nga nënat e fëmijëve jetimë shqiptarë. Në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Shqipëri, në bashkëpunim me të gjitha organizatat e tjera civile, si dhe fondacionet siç është Fondacioni ALSAR dhe në vijim të këtyre projekteve do të vazhdojmë që të mbështesim, të kontribuojmë edhe ne…", tha Yoruk.

Mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir, në fjalën e saj tha se ndihet e lumtur që është bërë pjesë e këtij projekti.

"Dua të falënderoj ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, si dhe bashkëshorten e tij Aysegul Erdal Yoruk, të cilët që nga fillimi i këtij projekti më kanë mbështetur dhe qëndruar pranë dhe njëkohësisht përfaqësojnë denjësisht shtetin e tyre dhe flamurin e tyre. Ndihem shumë krenare. E kam ndier veten si në shtëpinë time. Dua të falënderoj Fondacionin Turk Maarif dhe Qendrën Kulturore Turke 'Yunus Emre'", tha ajo.

Demir theksoi se "Duke parë pranë nesh dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Turqisë, nga 25 kursantë nëna që kemi pas në kursin e trajnimit tonë, 6 nga këto do të përzgjidhen dhe në të njëjtën kohë pas një periudhe dyjavore të gjashta do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë meje në mënyrë që ta plotësojnë formimin e tyre profesional në Turqi. Shpresoj që gjatë kohës që kam qëndruar këtu të kem lënë gjurmë për mirë, të kem lënë dhe kuzhinë tradicionale turke".

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, duke folur edhe për aktivitetet e fondacionit që ai drejton theksoi se "Sot është një ditë e veçantë pasi jemi duke realizuar një nga programet më speciale dhe të veçanta, që bëhet fjalë për kulinarinë e kuzhinës turke, diplomacia e gastronomisë e titulluar ndryshe".

Aktiviteti “Mësimi i kuzhinës turke” u mbajt në kuadër të “Aktivitetit të diplomacisë gastronomike Turqi-Shqipëri”. 25 gra shqiptare, nëna të fëmijëve jetimë, që morën pjesë në trajnimet disaditore, të organizuara nga bashkëpunimi i Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe Fondacionit ALSAR, do të nisin punën në një restorant turk që do të ngrihet për to pas trajnimit, me qëllimin ndihmën ndaj tyre për të siguruar të ardhura.

Ndërkohë u dhanë dhurata për mastershefen turke, Demir dhe bashkëshorten e ambasadorit turk në Tiranë, Ayşegül Erdal Yoruk.

Ceremoninë e shoqëruan pamjet filmike të zhvillimit të kursit, përgatitur nga Fondacioni ALSAR dhe Anadolu Agency.

Në mbarim të ceremonisë, të pranishmit shijuan darkën e shtruar me gatimet e nënave të jetimëve.

 

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -

 



Lajme të ngjashme