Tanju Bilgiç: Largimi i Turqisë nga programi “F-35”, goditje ndaj fuqisë shkëshilluese të NATO-s

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tanju Bilgiç, tha se largimi i Turqisë nga programi i avionëve “F-35” i ka dhënë goditje fuqisë shkëshilluese (parandaluese) të NATO-s.

1723188
Tanju Bilgiç: Largimi i Turqisë nga programi “F-35”, goditje ndaj fuqisë shkëshilluese të NATO-s

Tanju Bilgiç iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në brifingun e përjavshëm të Ministrisë.

Në lidhje me furnizimin me avionë “F-16” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këmbim të pagesës së bërë për avionët “F-35”, Bilgiç u shpreh me këto fjalë: “Punimet për përmirësimin e flotës «F-16» bëhen rregullisht prej vitesh. Ne kemi një problem të rëndësishëm me SHBA-në. Na u desh të largoheshim nga programi «F-35» për shkak të (sistemit mbrojtës që Turqia bleu nga Rusia) S-400. Kjo i dha një goditje jo vetëm Turqisë, por edhe fuqisë shkëshilluese të NATO-s.”

Ai vuri në pah se Turqia është një nga partnerët themelues të programit “F-35”.

“Ne i kemi përmbushur detyrimet tona përgjatë tërë programit. Në këtë kontekst, por edhe në kuadër të projektit «F-35», ne i kemi bërë SHBA-së një pagesë prej rreth 1,4 miliardë dollarësh. Faktikisht, opsionet janë të thjeshta për ne: ose do të kthehemi në program ose do të marrim avionët që na janë premtuar, ose do të na rimbursojnë paratë tona. Përdorimi i shumës që ne kemi paguar për «F-35», për të modernizuar flotën tonë «F-16», është në rendin e ditës si një opsion në këtë kontekst. Sigurisht, ne jemi duke e diskutuar këtë çështje me amerikanët dhe natyrisht që do të veprojmë sipas rezultateve të këtyre (diskutimeve)”, sqaroi zyrtari i MPJ turke.

Kurse në lidhje me reagimin e Turqisë ndaj deklaratave të SHBA-së dhe disa shteteve evropiane për biznesmenin Osman Kavala, i cili është i përfshirë në një proces gjyqësor që vazhdon ende në Turqi, Tanju Bilgiç tha se asnjë autoritet, organ, instancë apo person nuk mund t'u japë urdhra e udhëzime gjykatave dhe gjyqtarëve në lidhje me ushtrimin e pushtetit gjyqësor.

“Është absolutisht e papranueshme që t'i jepet një ultimatum shtetit turk”, përfundoi ai.



Lajme të ngjashme