Marrëveshje bashkëpunimi Turqi-Iran në fushën e sigurisë

Një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë u nënshkrua të mërkurën ndërmjet Turqisë dhe Iranit.

1722894
Marrëveshje bashkëpunimi Turqi-Iran në fushën e sigurisë

Pas takimeve dypalëshe dhe ndërmjet delegacioneve që ministri i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, realizoi me homologun e tij iranian, Ahmad Vahidi, në kuadër të kontakteve zyrtare në Teheran, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi dhe u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp.

Gjatë fjalës së rastit para gazetarëve, Suleyman Soylu tha: “Ne tregojmë një vullnet të përbashkët për të luftuar së bashku kundër organizatës terroriste PKK dhe të gjitha organizatave terroriste. Ne kemi shumë grupe pune dhe kjo ka shpalosur kërkesat dhe dinamikat e të dyja vendeve. Sot ne konfirmuam edhe një tjetër herë vendosmërinë dhe unitetin tonë në luftën kundër terrorizmit.”

Pasi bëri me dije se kanë diskutuar sërish për përpjekjet e përbashkëta që kryhen prej vitesh kundër rigjallërimit të emigracionit të paligjshëm pas zhvillimeve të fundit në Afganistan, si dhe për luftën kundër emigracionit klandestin, ministri Soylu tha se kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi që do të zgjerojë bashkëpunimin mes ministrive në fusha të ndryshme.

Kurse Ahmad Vahidi deklaroi se një periudhë e re dhe më e thellë do të fillojë në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Iranit për t'u shërbyer interesave të popujve të të dyja vendeve.

“Ne nuk do t'i lejojmë komplotistët të sajojnë probleme në marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe Turqisë”, theksoi ai.

Memorandumi i mirëkuptimit, nënshkruat të mërkurën nga Soylu dhe Vahidi, synon rritjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit të sigurisë mes dy vendeve. Dokumenti parashikon parandalimin e të gjitha llojeve të akteve terroriste dhe ilegale që kanë të bëjnë me të dyja vendet, veçanërisht në rajonet kufitare, si dhe zhvillimin e ndërsjellë të të gjitha llojeve të veprimtarive ligjzbatuese të kryera në këtë drejtim.



Lajme të ngjashme