Hulusi Akar në Shtabin e NATO-s për Takimin e Ministrave të Mbrojtjes së Aleancës

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, mbërriti sot në Shtabin e NATO-s në Bruksel, kryeqyteti i Belgjikës, ku shkoi për të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes së Aleancës.

1723089
Hulusi Akar në Shtabin e NATO-s për Takimin e Ministrave të Mbrojtjes së Aleancës

I pritur në Bruksel nga përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në NATO, ambasadori Basat Ozturk dhe zyrtarë të tjerë, Hulusi Akar vizitoi Përfaqësinë e Përhershme dhe Përfaqësinë Ushtarake të Republikës së Turqisë në NATO, ku u takua me personelin dhe mori informacione në lidhje me punën në vazhdim.

Akar deklaroi se Turqia, e cila është bërë një kryefjalë në arenën ndërkombëtare nën drejtimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, ka realizuar punë shumë të rëndësishme duke arritur edhe suksese mjaft serioze.

Pasi theksoi se Turqia i ka përmbushur përgjegjësitë e saj në NATO deri më sot, ministri Akar vuri në pah se vendi i tij do të vazhdojë t'i kryejë këto misione edhe në të ardhmen.

Vlen të kujtojmë se Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s do të takohen sot në vazhdën e një përballjeje të re me Rusinë, pas mosakreditimit të të dërguarit të saj dhe zyrën e Aleancës në Moskë gati për mbyllje.

Shtetet anëtare do të diskutojnë strategjinë e përbashkët të parandalimit dhe mbrojtjes, investimet në teknologjitë e reja duke përfshirë planet për një fond prej rreth 1 miliard eurosh, si dhe zhvillimet në Afganistan.

Ministrat e mbrojtjes së shteteve anëtare të NATO-s përgatiten t'i japin dritën e gjelbër një masterplani të ri për mbrojtjen e Aleancës nga një sulm i mundshëm i Rusisë në shumë fronte, në përpjekje për të parandaluar kështu rrezikun nga Moska.

Diplomatë e zyrtarë thanë se kjo gjë bëhet pavarësisht vëmendjes së re që NATO-ja po i kushton edhe rritjes së kërcënimit nga Kina.

Të njëjtat burime pohojnë se strategjia, e cila është ende konfidenciale, shkon përtej planeve ekzistuese rajonale të mbrojtjes. Qëllimi i saj është të bëhen përgatitje për një goditje të mundshme në zonën e Detit Baltik dhe Detit të Zi.

Duket se masat që parashikohen në këtë plan, lidhen gjithashtu me përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, një sulm nga hapësira ose dhe thjesht një ofensivë kibernetike. Sipas zyrtarëve, rreziku i një sulmi të tillë nuk është i menjëhershëm.

Megjithatë situata e krijuar së fundmi, pas vendimit të Moskës për të pezulluar misionin e saj në NATO, ka përforcuar frikën e një përplasjeje.

Nga ana tjetër, Rusia vetë mohon të ketë synime të lidhura me luftën dhe thotë se është NATO-ja ajo që po rrezikon ta destabilizojë Evropën me përgatitje të tilla.



Lajme të ngjashme