Erdogan: Turqia e vendosur ta çojë luftën e saj në emër të të shtypurve në një nivel më të lartë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të martën se Turqia është e vendosur ta çojë luftën e saj në emër të të shtypurve dhe viktimizuarve në një nivel më të lartë.

1721889
Erdogan: Turqia e vendosur ta çojë luftën e saj në emër të të shtypurve në një nivel më të lartë

Nëpërmjet një videomesazhi drejtuar “TRT World Forum 2021”, kreu i shtetit turk solli në vëmendje se njerëzimi po lufton prej më shumë se një viti me një krizë shëndetësore të madhe që ka dimensione ekonomike, sociale, politike dhe njerëzore, ndërsa vuri në pah se ajo që ndodhi në këtë proces tregon se tashmë asgjë në botë nuk do të jetë njëlloj si më parë.

Erdogani tha se institucionet përgjegjëse për të siguruar paqen dhe drejtësinë në botë përballë kësaj krize, e cila kërcënon të ardhmen e mbarë njerëzimit, dështuan edhe një tjetër herë.

“Vendet pak të zhvilluara dhe shtresat e varfra të shoqërisë janë lënë në mëshirë të fatit, kurse proteksionizmi në tregti është rritur dhe  zinxhirët e furnizimit janë thyer. Së bashku me problemet ekonomike, krimet e urrejtjes kanë arritur përmasa të frikshme në vendet perëndimore”, theksoi ai.

Politikanët evropianë - vijoi presidenti turk - po bëjnë llogari që ta shfrytëzojnë islamofobinë që rrethon shoqërinë si një qelizë kanceroze, duke abuzuar me të për të siguruar përfitime politike dhe për të fabrikuar vota, në vend që të luftojnë kundër saj.

Sipas tij, rendi botëror aktual nuk prodhon drejtësi dhe stabilitet prej një kohe të gjatë.

“Ky sistem, në të cilin bota islame nuk ka të drejtë fjale, kërkesat e Afrikës, Amerikës Latine e Azisë Jugore nuk merren parasysh dhe mbrohen vetëm interesat e pesë vendeve që mbajnë pushtetin, nuk mund të vazhdojë me strukturën e tij aktuale. Nevoja për reformë në Kombet e Bashkuara dhe institucionet e tjera ndërkombëtare nuk mund të injorohet më”, potencoi Erdogani.

Ai tërhoqi vëmendjen se Turqia e shpreh këtë nevojë për reformë prej vitesh me anë të parullës "bota është më e madhe se pesë".

“Ne jemi të vendosur ta çojmë këtë luftë, të cilën po e bëjmë në emër të gjithë të shtypurve dhe viktimizuarve, në një nivel shumë më të lartë”, nënvizoi Presidenti Erdogan duke shtuar se Turqia do ta vazhdojë këtë luftë derisa të vendoset një rend global, i cili i vë njerëzit në qendër, i jep përparësi të drejtit dhe drejtësisë, ku e drejta sundon mbi të fortin dhe jo i forti mbi të drejtën.



Lajme të ngjashme