Drejtori i TRT-së: Bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog dhe arsyetim të përbashkët

Mehmet Zahid Sobaci, drejtor i përgjithshëm i Korporatës së Radios dhe Televizionit të Turqisë (TRT), deklaroi se bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog, debat, arsyetim të përbashkët, shkëmbim idesh dhe zhvillim të një mirëkuptimi të ri.

1721945
Drejtori i TRT-së: Bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog dhe arsyetim të përbashkët
Mehmet Zahid Sobacı.jpg

Ky vlerësim i Mehmet Zahid Sobaci erdhi gjatë fjalimit përshëndetës në “TRT World Forum 2021”, i cili këtë vit organizohet virtualisht nën temën “Fuqia dhe Paradoksi: Kuptimi i Strategjisë së Madhe në Shekullin XXI”.

Duke thënë se çështjet globale që shqetësojnë të gjithë njerëzimin do të diskutohen për dy ditë në “TRT World Forum”, i cili pret gati 100 folës nga më shumë se 30 vende të ndryshme, drejtori i përgjithshëm i TRT-së theksoi se bota tani ka nevojë më shumë se kurrë për dialog, debat, arsyetim të përbashkët, shkëmbim idesh dhe zhvillim të një mirëkuptimi të ri.

Pasi tërhoqi vëmendjen se që nga fundi i shekullit XX, shtetet janë përballur me disa probleme të përbashkëta që nuk i kanë hasur kurrë më parë dhe që shqetësojnë tërë njerëzimin, Sobaci vijoi me këto fjalë: “Probleme të ndërlikuara që kapërcejnë kufijtë kombëtarë, të tilla  si terrorizmi global, pandemitë si COVID-19, fatkeqësitë ekologjike, ngrohja globale, krimet në mjedisin internetor dhe sulmet kibernetike, emigrimet masive dhe padrejtësitë në shpërndarjen e të ardhurave, e kanë vendosur sistemin global politik dhe ekonomik përballë krizave  dhe kërcënimeve shumëdimensionale. Sot bashkëpunimi dhe ndërvarësia janë elementët që dalin në pah për zgjidhjen e problemeve në shkallë ndërkombëtare. Efektiviteti i sistemit ekonomik dhe politik global varet nga një bashkëpunim global i nivelit të lartë, gjithëpërfshirës dhe i pandërprerë.”

Sipas tij, nëpërmjet “TRT World Forum” ata i ngritën çështjet globale dhe rajonale në agjendën e opinionit publik ndërkombëtar me një perspektivë polifonike dhe shumëdimensionale.

“Ne përpiqemi të jemi zëri i hapësirave gjeografike, shoqërive dhe individëve të pafavorizuar me botëkuptimin tonë transmetues që i vendos njerëzit në qendër të vemendjes. Në përputhje me parimet tona të transmetimit, ne përcjellim ndjeshmërinë tonë ndaj të gjitha krizave që kërcënojnë botën tonë, përmes kanaleve tona televizive e radiofonike dhe platformave tona digjitale në 41 gjuhë e dialekte në 7 kontinente të botës”, potencoi drejtori i përgjithshëm i TRT-së.

Ai theksoi se transmetuesit gjithashtu kanë përgjegjësi të mëdha në këtë proces.

“Një qasje e re transmetuese, e cila hedh dritë mbi problemet e sotme dhe kontribuon në rritjen e vetëdijes sociale e globale është bërë pjesë integrale e epokës së qeverisjes digjitale. Në këtë kontekst, ne e shohim «TRT World Forum» si një platformë për diskutim intelektual në formësimin e së ardhmes”, u shpreh Sobaci mes të tjerash.



Lajme të ngjashme