Çavusoglu: Problemet globale kanë nevojë për ndërhyrje kolektive

Ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se Turqia e përdor fuqinë e saj të ashpër vetëm për të filluar diplomacinë kur të kenë shteruar të gjitha opsionet e tjera.

1722023
Çavusoglu: Problemet globale kanë nevojë për ndërhyrje kolektive

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) mori pjesë në Forumin “TRT World 2021”, i cili mbahet në internet, përmes një videomesazhi.

Duke vënë në dukje se "Fuqia dhe paradoksi" dhe "Strategjia e madhe", që janë edhe tema e forumit këtë vit, kanë të bëjnë me çështjet aktuale, Çavushollu tha:

“Përkufizimi i Strategjisë së Madhe zgjerohet përtej një aspekti të vetëm të fuqisë, përkatësisht fuqisë së fortë, në mënyrë që të përfshijë edhe elementë të ndryshëm si: fuqia diplomatike, ekonomike dhe madje edhe fuqia kulturore.”

Duke vënë në dukje se është e vështirë që qëllime të caktuara të arrihen pa zotëruar një fuqi të caktuar, kreu i diplomacisë turke tha:

“Do të ishte e pamundur të bëheshim një lojtar rajonal dhe një aktor i respektuar në shkallë botërore pa forcën tonë kombëtare, e cila është shtuar gjatë 20 viteve të fundit. Kuptimi i fuqisë së Turqisë nuk përqendrohet në fuqinë e ashpër.”

“Bashkëpunimi, solidariteti dhe drejtësia janë pjesë të domosdoshme të identitetit dhe qytetërimit tonë. Paraardhësit tanë qeverisën me drejtësi dhe gëzuan respekt duke fituar zemrat dhe mendjet. Prandaj, në mirëkuptimin tonë, fuqia duhet të jetë mëshiruese, e mençur dhe legjitime”,- theksoi shefi i diplomacisë turke.

Duke detajuar shprehjen e tij se ‘fuqia duhet të jetë e mëshirshme’, Çavushollu e vijoi kështu videomesazhin e tij drejtuar forumit “TRT World”:

“Sa më i fortë të jeni, aq më përgjegjës duhet të jeni. Kjo është arsyeja pse ne e përcaktojmë atë si njerëzore. Kjo është arsyeja pse ne jemi vendi më bujar, edhe pse nuk jemi më i madhi, në çështjen e ndihmave humanitare. Fuqia duhet të jetë e drejtë dhe legjitime, dhe fuqia duhet të jetë një mjet për të arritur qëllime më të mëdha. Kjo është arsyeja përse Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) bëri thirrje për një botë më të drejtë në fjalimin drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sot ne nuk jemi më indiferentë ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Të punosh për një botë më të drejtë nuk është vetëm një detyrim moral, është një domosdoshmëri për një botë më të sigurt dhe më të qëndrueshme".

"Prania jonë në Siri dhe Libi ka siguruar stabilitet në terren, ka parandaluar migrimin e parregullt dhe terrorizmin dhe i ka hapur rrugën diplomacisë," shtoi ai.

Ministri i Jashtëm turk nënvizoi gjithashtu nevojën për ndërhyrje kolektive në çështjet globale të tilla si: ndryshimi i klimës, migrimi i parregullt, terrorizmi dhe pabarazitë në rritje, ndërsa theksoi nevojën për të ndarë barrën dhe për të vepruar me përgjegjësi.

Çavushollu shtoi se forumi “TRT World” është një aktivitet i rëndësishëm edhe për një politikë të jashtme të suksesshme, pasi forumi siguron pjesëmarrjen e shumë palëve të interesuara.

 


Lajme të ngjashme