Deklaratat e Erdoganit para nisjes për në ShBA

Presidenti Erdoan tha të dielën se qasjen e Turqisë ndaj sfidave që kërcënojnë të gjithë njerëzimin ai do ta shprehë nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

1707713
Deklaratat e Erdoganit para nisjes për në ShBA

Para nisjes për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mbajti një konferencë shtypi në Rezidencën Shtetërore të Aeroportit Ataturk në Stamboll.  

Në fjalën e tij, Erdoani theksoi se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) këtë vit do të mbahet me temën: "Tejkalimi i epidemisë së llojit të ri të koronavirusit (Covid-19), rindërtimi i qëndrueshmërisë duke iu përgjigjur nevojave të planetit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe vendosja e qëndrueshmërisë përmes shpresës për ringjalljen e OKB-së”.

“Çështjet që lidhen me shëndetin, klimën dhe zhvillimin e qëndrueshëm, në të cilat ne luajmë një rol udhëheqës, zënë peshë të madhe në agjendën e OKB-së. Unë do t'i drejtohem Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën, më 21 shtator, në ditën e parë të punimeve. Unë do të ndaj pikëpamjet tona mbi çështjet kryesore në agjendën e OK -së. Nga foltorja plenare unë do të shpreh qasjen tonë ndaj sfidave që kërcënojnë të gjithë njerëzimin”- u tha Erdoan gazetarëve.

Duke theksuar se ai do të japë një mesazh edhe për emigrantët, Erdoani tha:

“Me rastin e kësaj vizite do të kem takime dypalëshe me shumë kryetarë shtetesh dhe qeverish. Unë gjithashtu do të marr pjesë në programin “Një botë më e drejtë është e mundur”, që do të organizohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar Turko-Amerikan. Me një ceremoni kuptimplote që do të mbahet të hënën ne do të hapim ndërtesën e Shtëpisë tonë Turke (Türkevi). Ndërtesa jonë, e cila u ndërtua në tokën tonë përballë selisë së OKB-së, do të vihet në shërbim si një kryevepër e re që ia kemi përfituar kombit tonë."

Duke u shprehur se ai gjithashtu do të zhvillojë takime dhe intervista me disa përfaqësues të mediave në SHBA, udhëheqësi turk tha:

"Ne gjithashtu do të kemi takime me përfaqësuesit e biznesit turk dhe amerikan. Unë gjithashtu do të marr pjesë në Konferencën e 11-të të Investimeve në Turqi. Uroj që vizita jonë të japë rezultate të dobishme për vendin tonë, kombin tonë dhe gjithë njerëzimin.”

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit grek, Kiryakos Mitsotakis, Presidenti Erdogan bëri këtë vlerësim:

"Ne duhet të shohim hapat që duhen ndërmarrë nga ata që kemi përballë. Nëse nuk e bëjnë, ne marrim vendimin e nevojshëm dhe i ndërmarrim hapat në përputhje me rrethanat. Turqia nuk është shërbëtorja e askujt në këtë pikë."

 


Lajme të ngjashme