Erdogan: Do të mbulojmë të gjitha dëmet e zjarreve, asnjë qytetar s’do të viktimizohet

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të shtunën se nuk do të lejojnë kurrsesi viktimizimin e qytetarëve të prekur nga zjarret duke mbuluar të gjitha llojet e dëmeve.

1683329
Erdogan: Do të mbulojmë të gjitha dëmet e zjarreve, asnjë qytetar s’do të viktimizohet
erdogan antalya yangin helikopter.jpg

Kreu i shtetit turk inspektoi nga helikopteri zonat e prekura nga zjarri në Manavgat të Antalies, gjatë udhëtimit të tij për në këtë provincë turistike, ku gjithashtu do të inspektojë personalisht zonat e prekura nga zjarret pyjore.

Erdogani bëri me dije se një fond prej 50 milionë lirash turke është dërguar për të plotësuar nevojat urgjente, banorët e shtëpive të djegura apo të dëmtuara do të ndihmohen me qira dhe do të mbulohen dëmet e bujqësisë, blegtorisë dhe bizneseve të serave.

Pasi theksoi se taksat, kontributet për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, këstet e kredive të biznesit dhe detyrimet e bujqësi-blegtorisë do të shtyhen në vendet e shpallura zona fatkeqësie për shkak të zjarreve, presidenti njoftoi se ndërtimi i banesave do të fillojë brenda një muaji dhe do të përfundojë për një vit.

Ai shpjegoi gjithashtu se aktivitetet e shuarjes së zjarreve po kryhen me një ekip shumë të madh.

“Shteti ynë po punon me të gjitha institucionet dhe kapacitet e tij për të shuar zjarret, për të mbuluar dëmet dhe për të rehabilituar vendet e dëmtuara”, nënvizoi Erdogani duke shtuar se në zonat e prekura nga zjarri do të vihen në dispozicion të njerëzve të prekur nga fatkeqësia të gjitha llojet e mjeteve për t’u plotësuar atyre çdo nevojë, nga ushqimi e deri tek strehimi.

“Ne s’do të lejojmë viktimizimin e asnjë qytetari të shtetit tonë dhe do të mbulojmë të gjitha llojet e dëmeve”, potencoi ai.

Sipas tij, ripyllëzimi i zonave të djegura do të fillojë me reshjet e para.

Pas Antalies, presidenti do të inspektojë edhe zonat e prekura nga zjarret pyjore në rrethin Marmaris të provincës Mugla, një tjetër perlë turistike e Turqisë.

Erdogani anuloi sot një sërë programesh në Kahramanmaras për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga zjarret.



Lajme të ngjashme