Erdogan për çështjen e Qipros: Kemi të drejtë dhe do ta mbrojmë deri në fund

"Ne kemi të drejtë, dhe për këtë arsye ne do ta mbrojmë deri në fund të drejtën tonë”, tha Presidenti Erdogan nga Lefkosha në një program organizuar me rastin e 47-vjetorit të fillimit të Operacionit të Paqes në Qipro.

1677843
Erdogan për çështjen e Qipros: Kemi të drejtë dhe do ta mbrojmë deri në fund
Erdoğan_Kıbrıs_20_07_2021_b2.jpg

Qipriotët grekë nuk janë zgjuar ende nga gjumi ku shikojnë ëndrra me sy hapur, ata vazhdojnë t’i perceptojnë akoma qipriotët turq si të ishin një pakicë kombëtare dhe të hedhin poshtë parimin e barazisë në zgjidhjen e çështjes. Pala grekoqipriote vazhdon me këmbëngulje t’i përmbahet qasjes së saj larg realitetit, një maksimaliste, të pasinqertë dhe të përkëdhelur, tha Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në fjalën që mbajti në ceremoninë e organizuar në Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV) me rastin e Festës së Paqes dhe Lirisë.

“20 korriku (1974) është dita e çlirimit, kur në Qipro mori fund shtypja dhe erdhi paqja”, tha udhëheqësi turk.

Kreu i shtetit turk solli në kujtesë se Bashkimi Evropian (BE) kishte premtuar ndihmë për Qipron e Veriut në çështjet financiare dhe administrative, por nuk e bëri atë. “Jeta e këtyre është e ndërtuar mbi gënjeshtra",- e kritikoi Erdoan BE-në.

Kurse për administratën grekoqipriote Presidenti Erdoan bëri këtë vlerësim:

“Shikojmë që në mesin e tyre ka nga ata që kanë nostalgji për ngjarjet e përgjakshme që ndodhën para vitit 1974. Ata demonstrojnë një qasje të pasinqertë”,- u shpreh udhëheqësi turk.

Në lidhje me problemin qipriot Erdoan tha:

"Ne kemi të drejtë, dhe për këtë arsye ne do ta mbrojmë deri në fund të drejtën tonë. Tani nuk ka më asnjë vlerë qëndrimi i vrazhdë, i cili nuk ka ndryshuar për dekada të tëra dhe nuk pritet që të ndryshojë brenda një kohe të shkurtër. Askush të mos presë nga ne që nga kjo pikë e në vijim të bëjmë kthim pas”.

“Në dritën e punimeve që bëhen duke respektuar të drejtën pronësore, tani në Marash (Varosha, Qipro) do të hapen dyert e një periudhe të re, e cila do të jetë e dobishme për të gjithë”,- u shpreh Erdoan për Marashin.

Presidenti turk vuri në dukje se pa marrë parasysh sa vite kalojnë - 47, 147 ose 247 - qipriotët turq nuk do të heqin dorë nga pavarësia dhe liria e tyre.

"Askush të mos presë që qipriotët turq të heqin dorë nga sovraniteti dhe statusi i tyre i barabartë, të bien dakord për të jetuar si një pakicë kombëtare nën vullnetit të grekoqipriotëve",- tha ai.

Kreu i shtetit komentoi gjithashtu deklaratat e palës grekoqiprote rreth operacioneve të shpimit që ka kryer Turqia në brigjet e ishullit.

"Po ia lë ndërgjegjes së bashkësisë ndërkombëtare të vendosë se kush po ndërmerr hapa të njëanshëm, kush po e përshkallëzon tensionin",- tha Erdoan.

Kurse Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Ersin Tatar tha nga ana e tij në këtë ceremoni se “ata janë të vendosur për t’u dalë për zot së bashku me Turqinë burimeve natyrore në platformën kontinentale që rrethon ishullin e Qipros, ku ata kanë të drejta të barabarta”.

“Ata qa e kritikojnë atdheun tonë mëmë, Turqinë, përmes Operacionit të Paqes (1974), vazhdojnë të shtrembërojnë të vërtetat historike. Hapja e Marashit (për banim) do të bëhet nga Komisioni i Pasurive të Patundshme duke respektuar të drejtat e pronësisë dhe në përputhje me legjislacionin”,- sqaroi Tatar në lidhje me procesin e ardhshëm në Marash (Varosha).  



Lajme të ngjashme