Presidenti Erdogan: Turqia ka vaksina për të gjithë qytetarët e saj

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të dielën se Turqia është renditur përpara vendeve të tjera në çdo aspekt, nga shërbimet shëndetësore te siguria publike, që nga fillimi i pandemisë së llojit të ri të koronavirusit (COVID-19).

1661576
Presidenti Erdogan: Turqia ka vaksina për të gjithë qytetarët e saj

Kreu i shtetit turk realizoi një takim virtual me 700 të rinj nga 81 provinca të vendit, organizuar nga Forumi Rinor i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) me rastin e Ditës së Baballarëve.

Erdogan tha se Turqia po kryen një program të shpejtë vaksinimi kundër pandemisë COVID-19.

“Në një kohë kur furnizimi me vaksinë është shumë i vështirë, ne po zbatojmë një kalendar të shpejtë vaksinimi falë lidhjeve që kemi bërë në kohën e duhur. Kemi disa pengesa, por po i kapërcejmë edhe këto vonesa. Tani jemi në një gjendje të mirë. Me lejen e Allahut, ne do ta kapërcejmë këtë fatkeqësi së shpejti”, theksoi ai.

Duke njoftuar se po vazhdojnë me shpejtësi edhe studimet për vaksinën kombëtare (antiCOVID) dhe se objektivi është që prodhimi të fillojë në muajt shtator-tetor, lideri turk vuri në pah se moshën e vaksinimit e kanë ulur në 30 vjeç.

“Ky është një hap i rëndësishëm”, shtoi ai.

Gjithashtu Presidenti Erdogan tërhoqi vëmendjen mbi faktin se numri i vaksinave të administruara për momentin në Turqi është mbi 40 milionë dhe nënvizoi se kjo është një rritje e mirë.

“Turqia ka vaksina për të gjithë qytetarët dhe të gjithë qytetarët tanë duhet ta dinë që kanë qasje në vaksina në një kohë kur miliarda njerëz anembanë botës nuk e kanë këtë mundësi”, tha kreu i shtetit turk mes të tjerash.



Lajme të ngjashme