Turqia pret liderët rajonalë e botërorë për Samitin e SEECP-it dhe Forumin e Diplomacisë së Antalies

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të mërkurën se Turqia pritet të shohë një pjesëmarrje të lartë në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore dhe Forumin e Diplomacisë së Antalies, të cilët mbahen në ditët e ardhshme.

1659289
Turqia pret liderët rajonalë e botërorë për Samitin e SEECP-it dhe Forumin e Diplomacisë së Antalies

Ky vlerësim i shefit të diplomacisë turke erdhi gjatë një konference shtypi në provincën mesdhetare të Antalies, në jug të vendit, ku ai theksoi gjithashtu se “ky është një tregues i besimit ndaj Turqisë”.

Mevlut Çavusoglu bëri me dije se 8 kryetarë shtetesh apo qeverish dhe 9 ministra të jashtëm do të marrin pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili do të mbahet më 17 qershor.

Ndërsa Forumi i Diplomacisë së Antalies, i cili do të zhvillohet më 18-20 qershor, do të presë 12 kryetarë shtetesh apo qeverish, 43 ministra të jashtëm, katër ish-presidentë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, intelektualë dhe akademikë.

“Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, do të marrë pjesë gjithashtu në këto takime si i ftuar vendit mikpritës”, shtoi ai.

Sipas tij, temë kryesore e Samitit të SEECP-it do të jenë zhvillimet e fundit rajonale, por çështjet ndërkombëtare nuk do të mungojnë gjithashtu.

“Ne do të flasim për ekonominë dhe synimet e zhvillimit të 10 viteve të ardhshme për rajonin tonë”, u shpreh Çavusoglu duke njoftuar edhe se një dokument strategjik për vitin 2030 do të diskutohet gjithashtu në këtë samit.

Kryediplomati turk tha se Forumi i Diplomacisë së Antalies është i pari i këtij lloji duke qenë se ai përqendrohet posaçërisht në diplomaci.

“Ne duam që çdo çështje të diskutohet në një mënyrë inovative dhe kreative; duam një platformë diskutimi liberale, e cila mund të pasqyrojë perspektiva të ndryshme”, theksoi ministri Çavusoglu.

“Edhe pse shumica e pjesëmarrësve janë përfaqësues zyrtarë, ne nuk presim që ata të kenë bisedime zyrtare”, sqaroi ai.

Forumi i Diplomacisë së Antalies u shty vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Këtë vit ai do të mbahet “në përputhje të plotë me masat kundër llojit të ri të koronavirusit”.

Çavusoglu risolli në vëmendje edhe se Antalia ka pritur shumë organizime ndërkombëtare, përfshi këtu Samitin e G20-s dhe Takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Kurse duke iu përgjigjur një pyetjeje nga gazetarët e pranishëm në sallën e konferencës për shtyp, ministri i Jashtëm turk tha se në Forumin e Diplomacisë së Antalies do të diskutohen shumë çështje globale, mes të cilave situata në Kaukazin Jugor dhe mundësitë për paqen rajonale.

Ai tërhoqi vëmendjen se territoret e Azerbajxhanit ishin nën pushtim prej 3 dekadash dhe iniciativat diplomatike nuk ishin të mjaftueshme për çlirimin e tyre.

“Durimi i Azerbajxhanit nuk ishte i pakufishëm dhe në fund të fundit ai rimori territoret e tij”, potencoi Çavusoglu.

“Gjithkush duhet të respektojë integritetin territorial të Azerbajxhanit. Ne duam që ky të jetë një rajon i paqes dhe stabilitetit”, tha ai mes të tjerash.

Çavusoglu po ashtu bëri me dije se një deklaratë e përbashkët do të publikohet pas samitit.



Lajme të ngjashme