Erdogan: Nga SHBA-ja presim një qasje pa kushte që do të forconte unitet-solidaritetin e NATO-s

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të dielën se kokëçarja dhe pritja e vetme e Turqisë është të shohin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës një qasje të pakushtëzuar që do të forconte unitetin dhe solidaritetin e NATO-s.

1657026
Erdogan: Nga SHBA-ja presim një qasje pa kushte që do të forconte unitet-solidaritetin e NATO-s
Cumhurbaşkanı Erdoğan NATO zirvesi öncesi basın toplantısı 02.jpg
Cumhurbaşkanı Erdoğan NATO zirvesi öncesi basın toplantısı 03.jpg

Ky vlerësim i Kreut të Shtetit të Turqisë erdhi gjatë konferencës për shtyp nga Rezidenca Shtetërore në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit, përpara nisjes së tij për në Bruksel, kryeqyteti i Belgjikës, për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të NATO-s që do të mbahet nesër.

Lidhur me takimin që ai do të zhvillojë me Presidentin amerikan, Joe Biden, si pjesë e samitit të NATO-s, Erdogani tha: “Ky do të jetë takimi ynë i parë ballë për ballë me Biden pasi ai mori detyrën dhe ne duhet të diskutojmë marrëdhëniet Turqi-SHBA në nivelin maksimal. Gama e takimit me Biden është shumë e gjerë. Shumë fjalë e thashetheme qarkulluan brenda dhe jashtë vendit, por ne duhet t'i lëmë pas ato dhe të flasim për çfarë mund të bëjmë dhe çfarë do të bëjmë.

Ka shumë çështje mbi tryezë me SHBA-në lidhur me industrinë e mbrojtjes. Më e rëndësishmja prej tyre është çështja (e avionëve) «F-35». Në rastin (e avionëve) «F-35», kemi të bëjmë me një Amerikë që - fatkeqësisht - nuk i përmbush angazhimet e saj dhe nuk respekton kontratën pavarësisht se Turqia i ka mbajtur premtimet e saj. Mjerisht, 24 prilli rezultoi një proces shumë negativ. Kjo qasje na ka mërzitur seriozisht. Është e pamundur ta kapërcejmë pa e ngritur në rend të ditës këtë çështje. Ka edhe shumë çështje të tjera që i kemi filluar me SHBA-në dhe nuk i kemi vazhduar dot me SHBA-në në industrinë e mbrojtjes. Natyrisht, asnjë nga këto çështje nuk ka vend të zemrat tona. Shpresoj që duke i bërë këto bisedime me të njëjtën ndjeshmëri, ne do të ndërmarrim hapa që do të na bëjnë të harrojmë 24 prillin. Kokëçarja dhe pritja jonë e vetme është të shohim nga Shtetet e Bashkuara një qasje të pakushtëzuar që do të forconte unitetin dhe solidaritetin e NATO-s.”

Më tej, Erdogani rikujtoi se do të shkojë në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të NATO-s, i cili do të mbahet nesër.

“Ne do të marrim pjesë në një samit të rëndësishëm, ku do të merren vendime në lidhje me procesin e NATO 2030, i cili do të përcaktojë hartën e Aleancës për 10 vitet e ardhshme. Së bashku me aleatët tanë, ne do të nënvizojmë edhe një herë rëndësinë që i kushtojmë Aleancës”, u shpreh ai.

Lideri turk tha se NATO-ja po e azhurnon veten përballë kërcënimeve përherë e më të ndryshme dhe gjithashtu po përshtatet me kushtet e reja.

“Ne besojmë se në këtë proces nuk duhet të komprometohen mekanizmat dhe parimet e vendimmarrjes që qëndrojnë në themelet e Aleancës, të tilla si pandashmëria e sigurisë, uniteti dhe solidariteti. Me lejen e Allahut, ne t'i theksojmë këto çështje në samit”, shtoi presidenti turk.

Ai përmendi edhe marrëdhëniet e mira me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, është një mik i yni që gjithmonë ka pasur një qëndrim pozitiv”, vlerësoi Presidenti Erdogan dhe vijoi si më poshtë:

“Ne, si Turqi, po luftojmë kundër shumë organizatave terroriste në të njëjtën kohë, nga DAESH-i te PKK/YPG-ja dhe nga FETO-ja te DHKP/C-ja. Ne po e bëjmë këtë luftë jo vetëm brenda kufijve tanë, por edhe në një hapësirë të gjerë nga Siria në Irak.

Sulmi terrorist në spitalin e Afrinin dje tregoi se sa tradhtare dhe brutale është PKK/YPG-ja. Në këtë sulm u martirizuan 14 civilë, përfshirë foshnje, mjekë e pacientë, si dhe u plagosën 32 vëllezër tanët. Edhe një herë, unë lus mëshirën e Allahut për vëllezërit tanë që humbën jetën në sulm, si dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Ne do të kërkojmë llogari për çdo pikë gjaku të derdhur nga këta të poshtër duke vrarë të pafajshëm në vendin tonë, civilë në Siri dhe vëllezërit tanë kurdë në Irak.”

Duke theksuar se Turqia nuk po lufton vetëm kundër terrorizmit, Erdogani vuri në pah se vendi i tij është gjithashtu i ekspozuar ndaj një presioni të madh të emigracionit të parregullt në drejtimin Lindje-Perëndim.

Më pas ai tërhoqi vëmendjen se kufijtë e Turqisë përbëjnë gjithashtu kufijtë e NATO-s.

“Ndërsa ne mbrojmë kufijtë tanë, ne mbrojmë njëherësh edhe kufijtë e NATO-s. Ne presim që të veprohet në pajtim me frymën e Aleancës në betejat tona nga fronte të ndryshme. Gjatë samitit, ne po ashtu do të bëjmë me dije se presim që aleatët tanë të tregojnë solidaritet përballë kërcënimeve ndaj vendit tonë, veçanërisht kundër terrorizmit. Si një aleat i besuar përballë sfidave me të cilat përballet NATO-ja, ne kemi marrë dhe jemi duke marrë përgjegjësi kritike. Ne besojmë se roli i Turqisë në Aleancë do të fitojë edhe më shumë rëndësi në procesin që çon deri në vitin 2030", saktësoi Presidenti Erdogan.

Sa u takon përgatitjeve të SHBA-së për t'u tërhequr nga Afganistani, Erdogani vlerësoi se “dihet botërisht që Turqia është e vetmja aleate e besueshme që do të vazhdonte procesin nga momenti kur ajo (SHBA-ja) tërhiqet nga këtu”.

Presidenti i Republikës së Turqisë risolli në kujtesë edhe se pas Samitit të NATO-s, ai do të realizojë një vizitë zyrtare në Baku, më 15-16 qershor, në përgjigje të ftesës së Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

“Vëllazëria turko-azerbajxhanase është garanci e paqes, mirëqenies dhe stabilitetit në rajonin tonë”, theksoi ai mes të tjerash.



Lajme të ngjashme