Turqia: Izraeli, përgjegjësi kryesor i përshkallëzimit të situatës në territoret palestineze

Përmes një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme Turqia deklaroi se Izraeli është përgjegjësi kryesor për ngjarjet që kanë arritur në këtë pikë në territoret palestineze.

1637938
Turqia: Izraeli, përgjegjësi kryesor i përshkallëzimit të situatës në territoret palestineze

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka bërë një deklaratë në lidhje me sulmet ajrore të Izraelit në Gazë.

Deklarata dënon me forcë sulmet ajrore të nisura nga Izraeli në Rripin e Gazës dhe me pasojë vdekjen e shumë njerëzve të pafajshëm, përfshirë fëmijë, dhe kërkon mëshirën e Zotit për ata që humbën jetën në këto sulme dhe shërimin sa më të shpejt për të plagosurit.

"Izraeli, i cili u përpoq të dëbonte popullin palestinez nga tokat e tij në Jerusalemin Lindor e Bregun Perëndimor dhe ndërhyri ndaj palestinezëve që donin të faleshin në Xhaminë al-Aksa gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, është përgjegjësi kryesor që ngjarjet në territoret palestineze kanë arritur në këtë pikë”, thuhet më tej në komunikatën me shkrim të Ministrisë.

Deklarata thekson se politikat agresive dhe provokuese të Izraelit nuk do të kontribuojnë në përpjekjet për t'i dhënë fund dhunës dhe për të dominuar dialogu dhe pajtimi në Lindjen e Mesme.

"Administrata izraelite tashmë duhet ta kuptojë se duke përdorur forcë disproporcionale dhe pa dallim nuk mund të shtypë të drejtat dhe kërkesat legjitime të popullit palestinez dhe se duhet siguruar ndërprerja menjëherë e metodave të tilla ushtarake, të cilat nuk i shërbejnë asnjë qëllimi tjetër, përveçse rritjes së mëtejshme të armiqësisë dhe tensionit në rajon", vijon deklarata.

Komunikata njofton gjithashtu se ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) ka realizuar biseda telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), si dhe homologët e tij nga vendet e rajonit dhe vende të ndryshme të Evropës, në lidhje me hapat që mund të ndërmerren në platformat ndërkombëtare për të ulur tensionin në rajon dhe për t'i dhënë fund qëndrimit agresiv të Izraelit.

 


Lajme të ngjashme