Zelensky të shtunën në Turqi për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë të shtunën Turqinë në kuadër të Takimit 9. të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Ukrainë.

1618285
Zelensky të shtunën në Turqi për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë

Burimet diplomatike njoftojnë se disa nga çështjet kryesore që do të diskutohen gjatë vizitës së presidentit ukrainas, janë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, turizmit dhe marrëveshja e tregtisë së lirë.

Në shkurt 2020, Presidenti Recep Tayyip Erdogan vizitoi Kievin në kuadër të Takimit 8. të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Ukrainë.

Zelensky zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi në tetor, gjatë së cilës u takua me Presidentin Erdogan dhe nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Në vitin 2019 Ukraina bleu nga Turqia 6 mjete ajrore luftarake pa pilot të tipit “Bayraktar TB2” dhe 3 stacione të kontrollit tokësor.

Më pas, më 14 dhjetor 2020, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës dhe Departamentit të Industrisë së Mbrojtjes të Turqisë (SSB) u nënshkrua marrëveshje për transferimin e teknologjisë dhe prodhimin e korvetave të klasës “Ada” dhe dronëve luftarakë që Ukraina do të blejë.

Kjo erdhi pasi Vadim Nozdriya, drejtor i përgjithshëm i “Ukrspetseskport”, një konglomerat i grupeve më të mëdha shtetërore të armëve të vendit, njoftoi më 6 tetor 2020 se Ukraina ishte e interesuar të blinte 48 dronë luftarakë “Bayraktar TB2” të prodhuar bashkërisht.

Sa i përket korvetave, pas ndërtimit dhe dorëzimit të anijes së parë në Turqi, pjesa tjetër do të ndërtohet në kantierin detar “Okean”, në qytetin jugor Mikolaiv të Ukrainës.

Nga ana tjetër, vendet arritën të mbanin vëllimin e tregtisë dypalëshe në 4,7 miliardë dollarë pavarësisht pandemisë. Në tremujorin e parë të vitit 2021, vëllimi tregtar dypalësh u rrit me 18% duke u realizuar në rreth 1,5 miliardë dollarë.

Presidentët Erdogan dhe Zelensky së fundmi ranë dakord të përfundojnë negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë për të rritur vëllimin e tregtisë mes vendeve në 10 miliardë dollarë.

Ecuri të mirë pavarësisht pandemisë regjistroi edhe turizmi. Vitin e kaluar, rreth 1 milion ukrainas vizituan Turqinë dhe gati 150 mijë turq shkuan për turizëm në Ukrainë.

Krahas Antalies, vendpushimet më të pëlqyera nga turistët ukrainas në Turqi ishin qendrat turistike dimërore të Erxhijesit dhe Erzurumit.



Lajme të ngjashme