Turqia i dorëzon Bangladeshit presidencën e radhës së D8-s

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë i dorëzoi Bangladeshit presidencën e radhës së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Tetë Shteteve në Zhvillim (D-8).

1616784
Turqia i dorëzon Bangladeshit presidencën e radhës së D8-s

“Duke ju uruar atyre çdo sukses, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të vënë në zbatim një potencial të madh ekonomik të D8-s, si dhe do të ndajmë praktikat tona më të mira në fushën e turizmit me anëtarët e D8-s”, shkroi Mevlut Cavusoglu në rrjetin social “Twitter”.

Ndërsa duke folur në samitin virtual të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të D8-s, organizuar në kryeqytetin Daka të Bangladeshit, Çavusoglu theksoi rëndësinë e multilateralizmit dhe bashkëpunimit gjatë kohërave të vështira të pandemisë.

“Si Turqi, ne theksuam rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit në luftimin e COVID-19 që nga fillimi”, deklaroi ai duke shtuar se Turqia ka ndihmuar 157 vende dhe 12 organizata ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe, si dhe ka mbështetur iniciativat e heqjes së borxhit për vendet e varfra në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe G20.

Ai tha se teknologjia dhe rinia janë dy forcat kryesore transformuese të epokës së re duke shtuar se për të vazhduar me teknologjitë e përparuara, është e nevojshme të përfitohet nga të rinjtë, të cilët janë burimi i dinamizmit, inovacionit dhe ideve krijuese.

Çavusoglu tërhoqi vëmendjen se vendet anëtare nuk duhet të jenë vetëm përdorues, por edhe prodhues të këtyre teknologjive.

Duke vënë në pah se Marrëveshja e Tregtisë Preferenciale të D8 përbën bazën e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik brenda bllokut, Cavusoglu i ftoi të gjitha shtetet anëtare që të vënë në zbatim këtë marrëveshje.

Ai vazhdoi duke thënë se lehtësimi i tregtisë është një tjetër hap i rëndësishëm drejt rritjes së marrëdhënieve ndërmjet vendeve anëtare të D8-s, ndërsa shtoi se Turqia është e gatshme të presë takimin për këtë çështje.

Shefi i diplomacisë turke më tej theksoi se një prej sektorëve më të prekur nga pandemia është turizmi.

Turqia – vijoi ai – filloi një koncept të turizmit të sigurt dhe rihapi vendpushimet e saj për turizmin në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) dhe është e gatshme të ndajë praktikat me shtetet e tjera anëtare.

D8-a formohet nga Bangladeshi, Egjipti, Indonezia, Irani, Malajzia, Nigeria, Pakistani dhe Turqia.



Lajme të ngjashme