Turqia regjistron shifrën më të lartë të eksportit në të gjitha kohërat

Ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, bëri me dije të enjten se eksportet e Turqisë regjistruan shifrën më të lartë të të gjitha kohërave në mars 2021 me 18,98 miliardë dollarë.

1612927
Turqia regjistron shifrën më të lartë të eksportit në të gjitha kohërat

“Eksportet e vendit në mars të këtij viti u rritën me 42,2% në krahasim me të njëjtin muaj të 2020-s duke regjistruar shifrën më të lartë të të gjitha kohërave me 18,98 miliardë dollarë”, deklaroi Ruhsar Pekcan nga kryeqyteti Ankara i vendit duke bërë publike të dhënat paraprake të Ministrisë së Tregtisë.

Sa i përket importeve në mars 2021 – vijoi ministrja e Tregtisë – ato u rritën me 25,8% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë dhe arritën në 23,679 miliardë dollarë.

“Kështu, deficiti i tregtisë së jashtme të Turqisë u tkurr me 14,2% në bazë vjetore duke zbritur nga 5,5 miliardë dollarë, në 4,7 miliardë dollarë në mars”, tha ajo gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kreun e Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë (TIM), Ismail Gulle.

“Raporti i mbulimit të importit me eksport është 80,2% këtë mars”, shtoi Pekcan.

Ministrja e Tregtisë gjithashtu tha se eksportet turke u rritën me 17,3% në çerekun e parë të vitit 2021 duke arritur shifrën më të lartë tremujore historike prej 50 miliardë dollarësh.

“Si vend, ne do të vazhdojmë progresin tonë të pandërprerë në përputhje me objektivat e rritjes së lartë ekonomike dhe eksportit me vlerë të shtuar pavarësisht vështirësive dhe sfidave globale siç është pandemia e llojit të ri të koronavirusit (COVID-19)”, u shpreh Pekcan mes të tjerash.



Lajme të ngjashme