Ibrahim Kalin: Raketat ruse “S-400” të Turqisë s'do të integrohen në sistemin e mbrojtjes së NATO-s

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin, deklaroi se raketat “S-400” që Turqia i ka blerë nga Rusia, nuk do të integrohen në sistemin e mbrojtjes së NATO-s.

1597184
Ibrahim Kalin: Raketat ruse “S-400” të Turqisë s'do të integrohen në sistemin e mbrojtjes së NATO-s
SUPER İbrahim Kalın 03.jpg

Ky vlerësim i zëdhënësit Kalin erdhi gjatë një interviste me korrespondentë të agjencisë së lajmeve “Bloomberg”, mes tensioneve të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth blerjes nga Turqia të një sistemi rus të mbrojtjes ajrore.

“Marrëdhënia jonë mund të funksionojë në një mënyrë shumë konstruktive, ku ne mund të fuqizojmë njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë dhe mund të trajtojmë së bashku çështje ose shqetësime të përbashkëta”, tha ai.

Sipas tij, një vështrim i ri strategjik do të thotë të vihet më shumë theks mbi marrëdhëniet e mira me Turqinë për rrjedhojë të vendndodhjes gjeopolitike të Turqisë dhe qëndrimit të saj në aleancën perëndimore.

“Kjo marrëdhënie duhet të bazohet në respekt të ndërsjellë dhe interesa të ndërsjella që të funksionojë për të dy palët. Pala amerikane duhet të kuptojë shqetësimet e sigurisë kombëtare të Turqisë në lidhje me organizatën separatiste terroriste PKK”, u shpreh Kalin duke përsëritur se 3 çështjet kryesore që shkaktojnë çarje ndërmjet vendi të tij dhe SHBA-së, janë mbështetja e Uashingtonit për PYD/YPG-në, raketat “S-400” dhe rrjedhimisht sanksionet kundër Turqisë në kuadër të Aktit të Luftës me Sanksione ndaj Kundërshtarëve të Amerikës (CAATSA), si dhe lejimi i qëndrimit të kreut të organizatës terroriste gyleniste (FETO) në SHBA.

Ibrahim Kalin tha se deri më tani, për fat të keq, nuk është shënuar aspak progres dhe nuk është bërë ndonjë hap në lidhje me këto çështje.

“Ne duam të shohim një veprim konkret nga aleatët tanë. Ne mund t'i zgjidhim këto çështje përmes dialogut konstruktiv duke qenë të hapur dhe të sinqertë, por politikëbërësit amerikanë duhet të kuptojnë se sa serioze janë këto çështje për ne. Ato shkojnë në zemër të shqetësimeve tona të sigurisë kombëtare”, nënvizoi Kalin.

Duke vënë në pah se vendimi i Turqisë për raketat “S-400” nuk u mor brenda një nate, zëdhënësi presidencial shprehu besimin se ata mund të kenë raketa “Patriot” dhe raketa “S-400” që nuk do të integrohen në sistemin e mbrojtjes së NATO-s.

“Ata thonë se raketat «S-400» përbëjnë kërcënim për avionët luftarakë «F-35» dhe ne thamë që le ta shohim këtë nga një këndvështrim teknik. Po ata refuzuan dhe më pas thanë se nuk është çështje teknike, por çështje politike. Dakord, pra cila është çështja politike? Mos fakti që ne po e blejmë këtë nga Rusia? Le të flasim për këtë dhe si mund ta trajtojmë këtë çështje së bashku”, vijoi ai.

Kalin potencoi se edhe me Rusinë kishte disa pika mosmarrëveshjesh, por të dyja palët ishin në gjendje t'i menaxhonin të gjitha këto çështje duke biseduar përmes dialogut konstruktiv.

“Atëherë pse nuk mund të bëjmë të njëjtën gjë me SHBA-në? Nëse një vend tjetër vjen me një pozicion maksimalist dhe kërkon të bëhet patjetër e tija, ky lloj qëndrimi ju shtyn në drejtime të tjera”, shtoi zëdhënësi presidencial.

I pyetur rreth paketës së dytë të raketave “S-400”, Ibrahim Kalin u përgjigj duke thënë se procesi në lidhje me paketën e parë vazhdon dhe të gjitha janë pjesë e të njëjtit procesi, pra, është duke u zhvilluar procesi i zbatimit të së njëjtës marrëveshjeje në faza të ndryshme.

Ai tha më tej se Turqia, krahas raketave “Patriot”, ka bërë kërkesë për blerë edhe bateri të raketave “SAMP/T”, një prodhim i përbashkët italo-francez.

“Por Franca vendosi ta pengojë këtë proces duke përdorur Sirinë si justifikim. Megjithatë ne vazhdojmë negociatat me Francën për ta përshpejtuar këtë proces. Ne nuk i mbyllim dyert për opsionet”, sqaroi Kalin.

Zyrtari turk u ndal gjithashtu mbi lidhjet e Turqisë me botën arabe dhe Bashkimin Evropian.

Siç u shpreh ai, një kapitull i ri mund të hapet në marrëdhëniet e vendit të tij me Egjiptin dhe shtetet e tjera të Gjirit për të ndihmuar paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Egjipti është një vend i rëndësishëm në botën arabe dhe mbetet truri i botës arabe, është zemra e botës arabe. Ne jemi të interesuar të bisedojmë me Egjiptin për çështjet detare në Mesdheun Lindor dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Libinë, procesin e paqes dhe palestinezët. Ne mund të trajtojmë shumë prej këtyre çështjeve, mund të ulim tensionet dhe ai lloj partneriteti mund të ndihmojë stabilitetin rajonal nga Afrika e Veriut në Mesdheun Lindor. Aktualisht kemi një moment pozitiv në marrëdhëniet tona dhe duam të shohim më shumë progres”, saktësoi Kalin.

Sa i përket marrëdhënieve me Bashkimi Evropian, zëdhënësi presidencial tha se Turqia ka një agjendë shumë më të gjerë me Unionin dhe jo vetëm bisedimet eksploruese me grekët.

“Ne kemi azhurnimin e marrëveshjes së emigracionit. Të gjithë e dinë që ajo duhet të përditësohet. Pas 5 vjetësh (nga nënshkrimi), gjërat kanë ndryshuar dhe nevojat janë ende të pranishme atje. Ato janë edhe më të thella dhe ne duhet të bëjmë më shumë. Nuk ka të bëjë vetëm me paratë, sepse ato nuk hyjnë në arkën tonë, por shkojnë direkt te refugjatët sirianë, tek organizatat joqeveritare dhe organizatat ndërkombëtare. Kjo është thjesht një çështje për t’i dhënë popullit sirian një ndjenjë besimi se ata nuk janë vetëm, se bota nuk i ka kthyer shpinën këtij populli. Ndarja e barrës ka qenë gjithmonë pjesa që mungon në këtë marrëveshje dhe ata e dinë se duhet të bëjnë më shumë”, theksoi ai.

Mes të tjerash, zëdhënësi Kalin bëri me dije se kontaktet me administratën e re amerikane janë vendosur tashmë.

“Unë jam i mirinformuar se (Presidenti Joe) Biden është i zënë me shumë çështje të politikës së brendshme. Sidoqoftë, ne i vendosëm kontaktet me homologët tanë dhe bëmë një fillim të mbarë. Padyshim që edhe dy presidentët do të bisedojnë/takohen”, sqaroi zëri kryesor i kreut të shtetit turk.



Lajme të ngjashme