Turqia dënoi përdorimin e forcës ndaj civilëve në Mianmar

"Ne vërejmë me shqetësim të thellë se stabiliteti në Mianmar po përkeqësohet pas grushtshtetit të 1 shkurtit 2021", thuhet në një kumtesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

1592482
Turqia dënoi përdorimin e forcës ndaj civilëve në Mianmar

Turqia dënoi përdorimin joproporcional të forcës së juntës ushtarake në Mianmar ndaj protestuesve paqësorë, duke shkaktuar vrasjen e shumë civilëve.

"Ne vërejmë me shqetësim të thellë se stabiliteti në Mianmar po përkeqësohet pas grusht shtetit të 1 shkurtit 2021", thuhet në një kumtesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Turqisë.

"Ne bëjmë thirrje që të ndërmerren hapat e nevojshëm për rivendosjen e demokracisë pa vonesë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, si dhe ndërprerjen e menjëhershme të dhunës kundër protestuesve paqësorë", theksohet në kumtesë.

Më herët, Zyra e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut gjithashtu dënoi përshkallëzimin e dhunës ndaj protestuesve kundër grushtshtetit në Mianmar dhe tha se ka informacion të besueshëm se përdorimi i forcës në vend la të paktën 18 persona të vdekur dhe më shumë se 30 të tjerë të plagosur.

Sipas dëshmitarëve dhe mediave lokale, protestuesit kundër grusht shtetit u përballën me gaz lotsjellës, plumba gome dhe bomba fugase (shokuese) përderisa policia dhe ushtarët intensifikuan fushatën ndaj protestuesve kundër grushtshtetit të fundit ushtarak në vendin e Azisë Juglindore.

Në Mianmar janë zhvilluar protesta masive që kur ushtria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 1 shkurt pas arrestimit të Aung San Suu Kyi dhe anëtarëve të lartë të Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD) në pushtet. (Anadolu Agency - AA)

 


Lajme të ngjashme