Turqia dënon zhvillimet në Armeni – Çavusoglu: Jemi kundër grushtshteteve kudo qofshin në botë

Turqia njoftoi të enjten se është kundër grushtshteteve dhe tentativave për grushtshteti kudo në botë duke dënuar fuqishëm zhvillimet në Armeni.

1590770
Turqia dënon zhvillimet në Armeni – Çavusoglu: Jemi kundër grushtshteteve kudo qofshin në botë

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në kryeqytetin Budapest të Hungarisë, zhvilloi një takim dhe më pas një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto.

Shefi i diplomacisë turke vuri në pah se me ministrin Szijjarto biseduan për një numër të madh çështjesh në agjendën e vendit të tij dhe Evropës, ndërsa tha se do të zhvillojnë edhe më tej marrëdhëniet dypalëshe.

I pyetur në lidhje me zhvillimet në Armeni, pasi ushtria e këtij vendi bëri thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Nikol Pashinyan, ministri turk i Punëve të Jashtme u përgjigj me këto fjalë: “Ne jemi kundër grushtshteteve dhe përpjekjeve për grushtshteti kudo qofshin në botë. Andaj ne e dënojmë fuqishëm këtë tentativë për grushtshteti në Armeni.”

Çavusoglu tha se në demokraci është e natyrshme që qytetarët kritikojnë qeverinë, madje edhe të bëjnë thirrje për dorëheqje.

Por – vijoi ai – është e papranueshme që ushtarakët të apelojnë për dorëheqje dhe jo më të bëjnë grushtshteti ndaj një qeverie të ardhur në pushtet me zgjedhje, prandaj ne e dënojmë edhe njëherë fuqishëm këtë thirrje në Armeni.

Kryediplomati turk theksoi se është hapur një dritare shansi e rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe se kjo duhet të vlerësohet mirë.

“Përpjekje të tilla për grushtshteti janë hapa për prishjen e stabilitetit të vendeve. Kjo është arsyeja pse ne jemi kundër. Nuk kemi pasur ndonjë kontakt, edhe ne po e ndjekim nga mediat. Po përpiqemi të marrim informacione më të detajuara, por ky qëndrim i Turqisë është një qëndrim parimor. Ne jemi kundër grushtshtetit kudo që ai ndodh”, u shpreh ministri Çavusoglu mes të tjerash.

Rikujtojmë se komandantët e lartë të ushtrisë armene, me në krye shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Onik Gasparyan, lëshuan një deklaratë duke i bërë thirrje Kryeministrit Pashinyan që të jepte dorëheqjen. Kurse Pashinyani tha se kjo ishte një përpjekje për grushtshteti në vend dhe shkarkoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë.

“Konsideroj se deklarata e shefit të Shtabit të Përgjithshëm është një përpjekje për grushtshteti ushtarak. Ftoj të gjithë mbështetësit tanë të mblidhen në Sheshin e Republikës, në Erevan”, shkroi ai në rrjetin social “Facebook”.

Pashinyani është nën presionin e opozitës, e cila gjithashtu kërkon dorëheqjen e tij që prej dështimit ushtarak të Armenisë përballë Azerbajxhanit në luftën e fundit 44-ditore në Karabakun Malor, gjatë vjeshtës së të kaluar.



Lajme të ngjashme