Pekcan: Nënvizojmë gjithnjë se objektivi strategjik i Turqisë është anëtarësimi i plotë në BE

Ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, deklaroi të mërkurën se Turqia e ka bërë të qartë në çdo rast që objektivi strategjik i saj është anëtarësimi me të drejta të plota në Bashkimin Evropian dhe me këtë koncept i qaset marrëdhënieve me Unionin.

1589970
Pekcan: Nënvizojmë gjithnjë se objektivi strategjik i Turqisë është anëtarësimi i plotë në BE

Siç bën të ditur Ministria e Tregtisë përmes një komunikate të shkruar, Pekcan bisedoi me anë të videokonferencës me Komisionarin Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Në këtë takim virtual u trajtuan marrëdhëniet dypalëshe e tregtare ndërmjet Turqisë dhe BE-së, si dhe çështjet parësore të agjendës për zhvillimin e bashkëpunimit mbi bazat e mirëkuptimit dhe interesave të ndërsjella.

Duke theksuar se Turqia – si një shtet kandidat për anëtarësim në BE dhe partner i Unionit Doganor – i kushton rëndësi madhore marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian, Pekcan vuri në pah se vendi i saj ka aktualisht një nivel të avancuar të integrimit në BE.

“Ne e bëjmë të qartë në çdo rast se objektivi ynë strategjik është anëtarësimi me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Ky është edhe koncepti me të cilin i qasemi marrëdhënieve tona me Unionin”, u shpreh ministrja e Tregtisë.

Ajo tërhoqi vëmendjen se përpara kanë disa shanse për një agjendë pozitive në marrëdhëniet Turqi-BE dhe se shprehu gatishmërinë e Ankarasë zyrtare për të punuar në këtë drejtim.

Pasi nënvizoi se anëtarësimi i plotë është objektivi më i rëndësishëm dhe final i Turqisë në marrëdhëniet e saj me BE-në, Pekcan tha se një prej elementëve kyç të agjendës pozitive që ka shansin të krijohet në marrëdhëniet Ankara-Bruksel, është azhurnimi i Unionit Doganor.

Oliver Varhelyi, nga ana e tij konfirmoi se përditësimi i Unionit Doganor do të prodhonte rezultate pozitive për të dyja palët dhe rikujtoi se kjo çështje i është paraqitur Këshillit të BE-së për vendim nga Komisioni Evropian.

“Si BE, ne po bëjmë përpjekje për një agjendë pozitive dhe shohim të dobishme që të dyja palët të vazhdojnë mundin e tyre të përbashkët e konstruktiv për këtë agjendë”, vlerësoi zyrtari evropian.

Në fund të këtij takimi virtual, Pekcan dhe Varhelyi shprehën vullnetin e tyre për të vazhduar dialogun dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Turqisë e Bashkimit Evropian gjatë periudhës së ardhshme.



Lajme të ngjashme