Sentop: Stabiliteti i Shqipërisë mike e vëllazërore përparësi e politikës së jashtme turke

“Stabiliteti i Ballkanit dhe sidomos i Shqipërisë mike e vëllazërore janë ndër përparësitë e politikës së jashtme turke”, deklaroi kryeparlamentari turk, Mustafa Sentop, gjatë një takimi të enjten në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

1577814
Sentop: Stabiliteti i Shqipërisë mike e vëllazërore përparësi e politikës së jashtme turke

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Sentop, në kuadër të kontakteve të tij zyrtare në Tiranë, u takua të enjten ndarazi me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe me Kryeministrin Edi Rama.

Siç bën të ditur Presidenca e Shqipërisë, duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve e popujve dhe pasi nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të tyre në të ardhmen, Presidenti Meta theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe rritjes së investimeve turke në Shqipëri.

“Përvoja e bashkëpunimit si dy vende aleate në NATO dhe partneriteti strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë mbeten një platformë e rëndësishme e përpjekjeve të përbashkëta për sigurinë dhe paqen”, u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

Gjithashtu Presidenti Meta e falënderoi kryeparlamentarin Sentop për solidaritetin dhe ndihmën e menjëhershme të dhënë nga autoritetet turke pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe për angazhimin e Turqisë dhe të Presidentit Recep Tayyip Erdogan për ndërtimin e njësive të banimit për të prekurit nga tërmeti në zonën e Kurbinit dhe për ndërtimin e Spitalit të Fierit.

Nga ana e tij, Sentop bëri me dije se po i ndjek nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe punën për reformat gjithëpërfshirëse të jetësuara në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa theksoi se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe për integrimin e mëtejshëm të saj në institucionet euroatlantike.

Pas takimit me Presidentin Meta, kryetari i TBMM-së mori pjesë në drekën e shtruar për nder të tij dhe të delegacionit shoqërues nga homologun shqiptar, Gramoz Ruçi.

Kurse pas drekës në fjalë, Sentop u takua me Kryeministrin Edi Rama.

Në këtë takim, i cili u zhvillua në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, ishin të pranishëm gjithashtu ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk dhe zyrtarë të tjerë nga të dyja vendet.

Duke vënë në pah se stabiliteti i Ballkanit dhe sidomos i Shqipërisë mike e vëllazërore janë ndër përparësitë e politikës së jashtme turke, kryeparlamentari Sentop theksoi se Turqia është partneri tregtar i katërt më i madh i Shqipërisë me një vëllim tregtar prej 509 milionë dollarësh.

Gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare në Shqipëri, kreu i TBMM-së vizitoi edhe Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë, e cila po restaurohet nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ndërsa gjatë ditës së premte do të vizitojë Shkodrën.



Lajme të ngjashme