Çavusoglu: Është hapur një dritare mundësie për dialog të ripërtërirë ndërmjet Turqisë dhe BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të mërkurën se 2020-a ishte një vit që vuri në sprovë marrëdhëniet Turqi-Bashkimi Evropian, por tani është hapur një dritare mundësie për dialog të ripërtërirë ndërmjet dy palëve.

1572248
Çavusoglu: Është hapur një dritare mundësie për dialog të ripërtërirë ndërmjet Turqisë dhe BE-së
8'inci Türkiye-Hollanda (Wittenburg) Konferansı Mevlüt Çavuşoğlu ile Stef Blok 02.jpg

Konferenca 8. Turqi-Holandë, e njohur edhe si Konferenca e Vitenburgut, u mbajt me videokonferencë nën drejtimin e përbashkët të ministrit Çavusoglu dhe homologut të tij holandez, Stef Blok.

Shefi i diplomacisë turke vuri në pah se kjo konferencë është një tregues i vullnetit dhe aspiratës për të vazhduar dialogun e nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve.

Turqia dhe Holanda – vijoi Çavusoglu – janë vërtet dy shtete në skaje të ndryshme të Evropës, por kanë shumë për të kontribuuar në trajtimin e problemeve të kontinentit.

Pasi rikujtoi se 2020-a ishte një vit që vuri në sprovë marrëdhëniet Turqi-BE, ministri vijoi me këto fjalë: “Viti i kaluar ishte i ngjeshur me zhvillime të rëndësishme në Lindjen e Mesme, Qipro, Libi, Siri dhe në Kaukaz. Unioni i zgjati dorën Turqisë në samitin e dhjetorit dhe ne iu përgjigjëm në mënyrë pozitive. Tani është hapur një dritare mundësie për dialog të ripërtërirë ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian.”

Ai tha më tej se edhe kontaktet e tij me homologët nga Belgjika, Gjermania, Italia, Spanja e Portugalia mbështesin atë që shumica e shteteve anëtare të BE-së janë dakord me këtë mendim.

Çavusoglu rikujtoi se kanë arritur një marrëveshje mbi një “udhërrëfyes për hapa konkrete” brenda një kalendari me Presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, më 20-22 janar.

Duke tërhequr vëmendjen se një partneritet i sinqertë ndërmjet Turqisë dhe BE-së mund të sjellë ndryshime reale në shumë çështje të rëndësishme – përfshi këtu emigracionin, tregtinë, energjinë, sigurinë, mbrojtjen, Sirinë, Libinë, Ballkanin dhe Kaukazin – ministri i turk i Punëve të Jashtme tha se palët e kanë shfaqur për mrekulli aftësinë e partneritetit të tyre gjatë krizës së emigracionit në vitin 2016.

“Turqia, si një shtet kandidat (për anëtarësim në BE), është gati me vendosmëri të nivelit maksimal për një partneritet real”, potencoi ai.

Si në të gjitha marrëdhëniet – saktësoi Çavusoglu – të dyja palët presin disa gjëra dhe ndër pritjet e Turqisë janë rinovimi i Memorandumit të 18 Marsit me të gjitha përmasat e tij dhe në këtë kontekst përfshihen procesi i aderimit, azhurnimi i Unionit Doganor, liberalizimi i vizave, bashkëpunimi në fushën e emigracionit, dialogu i nivelit të lartë dhe sigurisht bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit.

Ai u shpreh se në këtë suazë, Turqia nisi bisedimet eksploruese me Greqinë, po vazhdon procesin e normalizimit në marrëdhëniet me Francën dhe njëherësh u fokusua në procesin e reformave të brendshme.

Në të njëjtën kohë – shtoi kryediplomati turk – ne jemi të gatshëm, siç kemi propozuar edhe më herët, për mbledhjen “5+Kombet e Bashkuara” në lidhje me Qipron dhe Konferencën për Mesdheun Lindor, për të cilat besojmë gjithashtu në mbështetjen e Holandës.

Ministri Çavusoglu tha më tej se komuniteti turk në Holandë është një nga elementët më të rëndësishëm të marrëdhënieve shumëplanëshe ndërmjet dy vendeve dhe nënvizoi se Ankaraja mbështet fuqishëm “integrimin e turqve në shoqërinë holandeze si individë aktivë dhe të suksesshëm”.

Sipas tij, çifti bashkëshortor i shkencëtarëve turko-gjermanë Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci, të cilët zbuluan vaksinën antiCOVID në Gjermani, janë burim krenarie dhe njëkohësisht ndër shembujt më të suksesshëm të integrimit të turqve në Evropë.

Çavusoglu theksoi se Konferenca 8. e Vitenburgut do të zhvillojë më tej partneritetin ndërmjet dy vendeve, ndërsa u shpreh veçanërisht i kënaqur për Grupin e Punës për Inovacionin dhe u uroi suksese grupeve të tjera të punës.

Kurse ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok, u shpreh se beson që partneriteti ndërmjet dy vendeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pavarësisht se mund të ketë divergjenca me Turqinë.

Gjatë fjalës së rastit në Konferencën 8. të Vitenburgut, ministri Blok bëri të ditur se në takimin e mbajtur me videokonferencë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, i cili shkakton sëmundjen COVID-19, u diskutuan sidomos interesat reciproke, inovacioni, siguria dhe çështjet rajonale.

Ai theksoi gjithashtu se në kuadër të takimit u kërkuan mënyrat për të punuar së bashku dhe se ndërmjet Holandës e Turqisë do të vazhdojë edhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes në kuadër të NATO-s.

“Partneriteti Holandë-Turqi bazohet në shumë vite të mëparshme”, tha Blok dhe nënvizoi se mes dy vendeve ka çështje bashkëpunimi jashtëzakonisht të rëndësishme në shumë fusha.

Në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar në mars 2008, i cili synon të sigurojë thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit ndërmjet Turqisë e Hollandës, këto konferenca organizohen në mënyrë alternative nën bashkëkryesimin e ministrave të Jashtëm të dy vendeve. Takimi numër 7 në këtë kuadër u zhvillua në Amsterdam, më 11 prill 2019.

Si pjesë e Konferencës 8. të Vitenburgut, ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu dhe homologu i tij holandez, Stef Blok, realizuan gjithashtu një takim kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve. Në këtë takim, ministrat shkëmbyen mendimet mbi marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet Turqi-BE dhe zhvillimet rajonale.

Përveç takimit ndërmjet homologëve Çavusoglu e Blok, në kuadër të Konferencës u mblodhën edhe 4 grupe pune, përkatësisht “Marrëdhëniet Turqi-BE”, “NATO”, “Inovacioni” dhe “Komuniteti Turko-Holandez”.



Lajme të ngjashme