Erdogan: Pandemia ka krijuar mundësi të reja për biznesin

"Kompanitë turke kanë qenë përpara konkurrentëve të tyre gjatë pandemisë me produktet e tyre cilësore, çmimet konkurruese dhe besueshmërinë,- tha Presidenti Erdoan në një takim me anëtarët e këshillit administrativ të TÜGİK.

1569444
Erdogan: Pandemia ka krijuar mundësi të reja për biznesin

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ka pohuar se pandemia e koronavirusit (Covid-19) ka hapur një dritare të re mundësish për botën e biznesit, megjithëse ka krijuar probleme dhe vështirësi të ndryshme.

Erdoan priti të premten në mbrëmje anëtarët e këshillit administrativ të Konfederatës Turke të Biznesmenëve të Rinj (TÜGİK).

“Ashtu si për pjesën tjetër të botës, pandemia ka qenë një kohë e vështirë edhe për Turqinë. Në të njëjtën kohë, ajo tregoi rëndësinë e një infrastrukture të fortë shëndetësore, prodhimi, zhvillimi dhe kërkimi, eksporti, larmia e tregjeve dhe produkteve në tregti",- u shpreh Erdoan.

Ai vuri në dukje se kompanitë turke kanë qenë përpara konkurrentëve të tyre gjatë pandemisë (Covid-19) me produktet e tyre cilësore, çmimet konkurruese dhe besueshmërinë.

“Ne arritëm ta mbyllim vitin 2020 me një eksport prej rreth 169,5 miliardë dollarë, që është 5 miliardë dollarë mbi objektivin e programit tonë ekonomik afatmesëm. Sipas të dhënave për periudhën janar-tetor 2020, pjesa e vendit tonë në eksportin botëror për herë të parë tejkaloi nivelin 1% dhe u rrit në 1,03%. Numri i eksportuesve turq i ka tejkaluar 87 mijë e 400. Midis këtyre, 18 mijë e 123 janë kompani që kanë eksportuar për herë të parë vitin e kaluar”,- shpjegoi presidenti turk.

Ai informoi se numri i bizneseve të themeluara në vitin 2020 u rrit me 20% përkundër pandemisë dhe arriti në 101 mijë e 318.

Erdoan siguroi se ata do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të përmirësuar klimën e nevojshme për investime, për të rritur parashikueshmërinë dhe për të përmbushur pritjet e investitorëve në mënyrën më të mirë.



Lajme të ngjashme