Akar: Nga Greqia presim të respektojë të drejtat tona

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, tha se shpresojnë që gjatë bisedimeve me Greqinë që do të fillojnë në Stamboll javën e ardhshme do të ketë zgjidhje të ligjshme për çështjet bilaterale.

1569672
Akar: Nga Greqia presim të respektojë të drejtat tona

"Në bisedimet me Greqinë, ne shpresojmë që çështjet të trajtohen brenda kornizës së të drejtave, ligjit dhe barazisë dhe që të gjenden zgjidhje. Vendi ynë ka të drejta dhe interesa jetike në detin gjysmë të mbyllur të Egjeut, ku dominojnë kushte specifike gjeografike. Dihet se cili është qëndrimi ynë për nevojën e mos-zgjerimit në mënyrë të njëanshme të ujërave territoriale në këtë det në mënyrë që të kufizojë lirinë e lundrimit dhe të qasjes në dete të hapura si për vendin tonë (Turqinë), ashtu edhe për vendet e treta. Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar. Në suazën e kësaj, ajo çfarë presim ne nga fqinjët tanë është që të respektojnë të drejtat e Turqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor dhe të heqin dorë tashmë nga bërja e deklaratave dhe veprimeve që do të shkaktonin ndonjë keqkuptim”,- tha Akar në ceremoninë e lëshimit në det të fregatës “Istanbul” (F-515), e cila është anija e 5-të që është prodhuar në Komandën e Kantierit Detar në Stamboll në kuadër të projektit MILGEM (anija kombëtare, shën. Redaksisë).

Të hënën, Turqia dhe Greqia pritet të rinisin bisedimet eksploruese pas një pauze katërvjeçare.

Bisedimet pritet të përqendrohen në mosmarrëveshjet dypalëshe, duke përfshirë kufijtë detarë dhe të drejtat e shpimit në rajon.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet e Greqisë lidhur me kufijtë detar dhe Administrata Qipriote Greke, duke theksuar se pretendimet e tyre të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe turqve qipriotë.

Ankaraja vitin e kaluar dërgoi disa anije shpimi për të kërkuar burime energjetike në Mesdheun Lindor, duke riafirmuar të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Republikës Turke të Qipros së Veriut (TRNC/KKTC).

Udhëheqësit turq kanë theksuar vazhdimisht se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.



Lajme të ngjashme