Erdogan: Ne refuzojmë nismat për izolimin e vendit tonë në brigjet e tij përmes hartave maksimaliste

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të martën se Ankaraja zyrtare refuzon nismat për izolimin e vendit në brigjet tij përmes hartave maksimaliste që nuk kanë asnjë vlefshmëri.

1562281
Erdogan: Ne refuzojmë nismat për izolimin e vendit tonë në brigjet e tij përmes hartave maksimaliste
Erdoğan Büyükelçi.3.jpg
Erdoğan Büyükelçi.1.jpg

Ky vlerësim i kreut të shtetit turk erdhi gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve evropiane të akredituar në Ankara, mbajtur në Pallatin “Çankaya”.

Ai theksoi se agjenda Turqi-Bashkimi Evropian po abuzohet duke u fshehur pas justifikimit të solidaritetit të Unionit.

“Kjo qasje, në njërën anë robëron marrëdhëniet tona të rrënjosura thellë dhe në anën tjetër dobëson pretendimin e BE-së për t'u bërë një fuqi rajonale dhe globale. Mesdheu Lindor nuk duhet të jetë një fushë konkurrence, ne duhet ta shndërrojmë atë në një pellg bashkëpunimi që do t'u shërbejë interesave tona afatgjata”, shtoi lideri turk.

“Ne e ftojmë Greqinë të heqë dorë nga aktivitetet që përshkallëzojnë tensionin”, vijoi Presidenti Erdogan dhe shprehu bindjen e tij se bisedimet eksploruese do të jenë lajmëtare të një epoke të re.

Më tej, shefi i Ankarasë zyrtare vuri në pah se BE-ja nuk ka pasur asnjë kontakt me palën turke të Qipros kohët e fundit.

“Si mund të luajë BE-ja një rol lehtësues në zgjidhjen e problemit qipriot? Tashmë është kuptuar që paqja mesdhetare nuk do të dalë nga asnjë ekuacion që lë jashtë Turqinë dhe Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV). Në Qipro duhet të diskutojmë alternativa të reja dhe realiste në vend të shpluhurosjes së përsëritur të modeleve që kanë dështuar”, potencoi ai.

Erdogani u ndal edhe mbi qasjet islamofobe anembanë Evropës.

“Përveçse kërcënon sigurinë e gati 6 milionë njerëzve tanë që jetojnë në Evropë, islamofobia po kthehet gjithashtu në një vrimë të zezë madhore në aspektin e vlerave evropiane”, tha presidenti turk.

Pjesë e agjendës së Erdoganit ishin padyshim edhe marrëdhëniet Turqi-BE.

“Si vend, ne jemi gati të krijojmë një agjendë pozitive me një perspektivë afatgjatë dhe t'i vendosim marrëdhëniet tona përsëri në rrugën e duhur. Ashtu siç është procesi i anëtarësimit 60-vjeçar të vendit tonë një zgjedhje strategjike për ne, ashtu edhe pranimi nga BE-ja i anëtarësimit të plotë të vendit tonë do të jetë një zgjedhje ontologjike në drejtim të së ardhmes së Unionit. Pasiguria në rritje me Brexit-in mund të zgjidhet vetëm nga Turqia duke marrë vendin e saj të merituar në familjen evropiane”, vlerësoi ai gjatë fjalës së rastit përpara ambasadorëve evropianë me mision në Ankara.

Duke potencuar edhe nevojën për një azhurnim në Unionit Doganor, Presidenti Erdogan tha se përditësimi në fjalë “duhet bërë në mënyrë që të marrë parasysh realitetin në ndryshim lidhur me emigracionin dhe për t'i dhënë besim e shtysë marrëdhënieve” Turqi-BE.

Sa i përket luftës kundër terrorizmit, Erdogani rikujtoi se Turqia nuk ka lënë në vetmi asnjë shtet anëtar të NATO-s dhe pyeti: “Vallë pse vendet e tjera të NATO-s na kanë neve lënë vetëm?”

Presidenti foli gjithashtu në lidhje me pandeminë e llojit të ri të koronavirusit shkaktar të sëmundjes COVID-19.

“Vaksinat tona autoktone në fazën e provave njerëzore ne do t'i ofrojmë në shërbim të kombit tonë dhe mbarë njerëzimit pas miratimeve të nevojshme”, tha Erdogani në fund të fjalës së tij drejtuar shefave të misioneve diplomatike evropiane në Turqi.



Lajme të ngjashme