Çavusoglu: Turqia nuk sprapset me sanksione; janë sulm ndaj të drejtave tona sovrane

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të martën pasdite se sanksionet amerikane janë një sulm ndaj të drejtave sovrane të Turqisë dhe se ajo nuk sprapset me sanksione.

1554195
Çavusoglu: Turqia nuk sprapset me sanksione; janë sulm ndaj të drejtave tona sovrane
afp Çavuşoğlu Lavrov4.jpg
afp Çavuşoğlu Lavrov1.jpg
Mevlüt Çavuşoğlu Sergey Lavrov Soçi.jpg
afp Çavuşoğlu Lavrov3.jpg
afp Çavuşoğlu Lavrov2.jpg

Ky vlerësim i ministrit Çavusoglu erdhi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, pas Takimit 8. të Grupit të Përbashkët të Planifikimit Strategjik Turqi-Rusi dhe ceremonisë së nënshkrimit të Planit për Konsultime 2021-2022 ndërmjet dy vendeve, në qytetin bregdetar rus të Soçit.

I pyetur rreth sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Turqisë në kuadër të Aktit të Luftës me Sanksione ndaj Kundërshtarëve të Amerikës (CAATSA), Çavusoglu u përgjigj duke thënë se vendi i tij është kundër sanksioneve pa marrë parasysh se nga kush dhe ndaj kujt janë.

“Në të kaluarën edhe Bashkimi Evropian kishte sanksione ndaj Rusisë. Si një vend në negociata, nga ne u kërkua që t'u bashkoheshim këtyre vendimeve, por ne s'u pajtuam. Jo vetëm që nuk pajtohemi plotësisht, por njëherë kemi treguar hapur se sanksionet nuk janë të drejta”, u shpreh ai.

Shefi i diplomacisë turke theksoi se vendimi i SHBA-së për sanksione ndaj vendit të tij është një veprim i gabuar si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë politik.

“Këto sanksione janë sulm ndaj të drejtave tona sovrane. Ne s'do të sprapsemi me sanksione”, potencoi Çavusoglu.

Sipas tij, marrëveshja ndërmjet Turqisë dhe Rusisë për sistemin e mbrojtjes ajrore “S-400” është arritur shumë më herët sesa miratimi i ligjit CAATSA.

Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj Turqisë për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes ajrore “S-400”.

Sanksionet në kuadër të CAATSA-s shënjojnë Departamentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë (SSB) dhe 4 zyrtarë të lartë të tij, përfshi këtu edhe presidentin e SSB-së, Ismail Demir.

Zyrtarët amerikanë kanë kundërshtuar blerjen e sistemit rus nga Turqia duke pretenduar se ata do të jenë të papajtueshëm me sistemet e NATO-s dhe se do t'i ekspozojnë avionët “F-35” ndaj një manipulimi të mundshëm rus.

Megjithatë Turqia këmbëngul se sistemi “S-400” nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbëjë asnjë kërcënim për Aleancën ose armatimet e saj.

Zyrtarët turq kanë propozuar vazhdimisht një grup pune për të shqyrtuar çështjen e pajtueshmërisë teknike.

Ministri i Jashtëm turk foli edhe për zhvillimeve në Libi duke theksuar se me Rusinë janë duke bërë përpjekje të mëdha për një armëpushim të përhershëm.

Çavusoglu deklaroi se Turqia beson që zgjidhja e vetme në Libi është ajo politike, por puçisti Khalifa Haftar dhe pala e tij kanë demonstruar një bindje e qëndrim të kundërt duke sulmuar Tripolin. Për pasojë, sipas shefit të diplomacisë turke, vendi i tij i ka dhënë Tripolit zyrtar shërbime këshillimore dhe mbështetje në përputhje me marrëveshjen e arritur me qeverinë legjitime libiane duke përmbysur situatën në terren.

Gjithashtu ai tërhoqi vëmendjen mbi vijimin e procesit politik dhe theksoi se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e këtij procesi.

“Asnjë shtet dhe askush, përfshi këtu Haftarin, nuk ka të drejtë të thotë që «Turqia të largohet»”, theksoi Çavusoglu.

“Ne kemi arsye të ligjshme për të qenë atje”, shtoi ai.

Çavusoglu theksoi se Turqia nuk kërkon përfitime në Libi, por ndihmon në arritjen e unitetit kombëtar dhe vendosjen e dialogut ndërmjet palëve.

Ai gjithashtu potencoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë një rol më aktiv në inkurajimin e palëve libiane për paqe.

Pjesë e agjendës së ministrit të Jashtëm turk ishte edhe lufta kundër virusit të ri korona (COVID-19).

Ai bëri me dije se në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar me Rusinë për luftën kundër COVID-19, një vaksinë e përbashkët do të prodhohet në Turqi.

Duke u ndalur gjithashtu mbi marrëdhëniet tregtare turko-ruse, Çavusoglu tha se Rusia do të rrisë kuotat e eksportit të domateve nga Turqia, pasi kuotat aktuale janë mbushur.

Të dy ministrat thanë se i kushtuan përparësi zgjidhjes në Karabakun Malor duke marrë në shqyrtim agjendën ndërkombëtare.

“Ne mirëpresim dëshirën e Ankarasë për të ndihmuar palët në konflikt të përmbushin detyrimet e tyre. Në veçanti, brenda kornizës së marrëveshjes së nënshkruar nga presidentët e Rusisë, Azerbajxhanit dhe kryeministri i Armenisë më 9 nëntor, si dhe në kuadër të qendrës së përbashkët ruso-turke për monitorimin e zbatimit të detyrimeve të armëpushimit”, tha Lavrov duke nënvizuar se me palën turke konvergjojnë që situata në Karabakun Malor nuk duhet të abuzohet nga askush.

Ata riafirmuan angazhimin për punën në formatin Astana, pasi ajo ka provuar efektivitetin dhe aftësinë e saj për të zgjidhur çështjet më të ngutshme në lidhje me situatën në terren.

“Ne biseduam rreth mënyrës së zbatimit të marrëveshjeve të presidentëve tanë në zonën e çtensionimit Idlib. Këto detyra janë duke u kryer, ne do të dëshironim që të realizoheshin më shpejt”, tha Lavrov.

Kryediplomati rus po ashtu kritikoi vendimin e SHBA-së për të sanksionuar Turqinë lidhur me blerjen e sistemit raketor rus “S-400”.

“Pavarësisht sanksioneve të paligjshme, ne do të vazhdojmë bashkëpunimin ushtarako-teknik me Ankaranë”, saktësoi ai.

Sipas tij, Uashingtoni po bën presion serioz mbi Ankaranë dhe këtë po bën me rrugë ilegale, megjithatë Turqia nuk po dorëzohet dhe kjo është për t'u vlerësuar.

“Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Rusisë nuk varen nga vendimet sanksionuese të Perëndimit. Marrëdhëniet ruso-turke janë shumë të çmuara dhe nuk varen nga qëndrimet agresive apo tekat e askujt”, përfundoi ministri Lavrov.



Lajme të ngjashme