“Asnjë sanksion nuk do ta bëjë dot kurrë Turqinë të heqë dorë nga të drejtat e saj sovrane”

Turqia njoftoi të shtunën se asnjë sanksion nuk do ta bëjë dot kurrë atë që të heqë dorë nga të drejtat e saj sovrane.

1540319
“Asnjë sanksion nuk do ta bëjë dot kurrë Turqinë të heqë dorë nga të drejtat e saj sovrane”

Ministria e Punëve të Jashtme iu përgjigj artikullit të publikuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, përmes llogarisë së Ministrisë në median sociale.

“Greqia, si fëmijë i llastuar i Evropës, synon të provokojë sanksione të Bashkimit Evropian ndaj Turqisë bazuar në pretendimet e saj maksimaliste dhe të paligjshme të kufirit detar dhe hapësirës ajrore. Asnjë sanksion nuk do ta bëjë dot kurrë Turqinë të heqë dorë nga të drejtat e saj sovrane qoftë në Meis/Kastelorizo ose në hapësirën ajrore prej 10 miljesh detare. Greqia duhet të angazhohet në dialog të pakushtëzuar me Turqinë sa më parë të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e MPJ turke.

Në vazhdën e tensioneve të fundit në rajon, Greqia dhe administrata grekoqipriote kanë rritur presionin e tyre ndaj shteteve të tjera anëtare të BE-së për të vendosur sanksione ndaj Turqisë gjatë samitit të ardhshëm të liderëve të Unionit.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare kontinentale më të gjatë në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet kufitare detare të Greqisë dhe administratës grekoqipriote duke theksuar se këto pretendime të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe turqve qipriotë.

Ankaraja ka dërguar disa anije shpuese kohët e fundit për të eksploruar burimet e energjisë në Mesdheun Lindor duke këmbëngulur në mbrojtjen e të drejtave të saj të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV) në rajon.

Udhëheqësit turq kanë theksuar vazhdimisht se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.



Lajme të ngjashme