Turqi - Në Parlament vjen mocioni presidencial për vendosjen e trupave në Azerbajxhan

Mocioni i Presidencës për dërgimin e trupave turke në Azerbajxhan për të monitoruar respektimin e armëpushimit në rajonin e Karabakut iu paraqit të hënën Kryesisë së Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM).

1528613
Turqi - Në Parlament vjen mocioni presidencial për vendosjen e trupave në Azerbajxhan

Mocioni, i cili mban firmën e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), kërkon vendosjen për një vit të trupave paqeruajtëse turke në rajonin e Karabakut Malor.

Azerbajxhani mik dhe vëlla vazhdon prej vitesh përpjekjen e tij për shpëtimin e tokave të pushtuara. Në përgjigje të sulmeve të Armenisë kundër objekteve ushtarake dhe civile përgjatë vijës së frontit në Karabakun Malor më 27 shtator, Azerbajxhani ndërmori një kundërofensivë duke u mbështetur në të drejtën e tij për vetëmbrojtje dhe si rezultat i kësaj ofensive arriti suksese të rëndësishme në drejtim të çlirimit të territoreve të tij që mbaheshin të pushtuara për disa dekada nga Armenia, thuhet në tekstin e mocionit.

Sipas memorandumit të arritur mes Azerbajxhanit, Rusisë dhe Armenisë në rajon u vendos armëpushimi, i cili hyri në fuqi mesnatën e 10 nëntorit dhe u shpall një plan, i cili përfshin rikthimin Azerbajxhanit të disa rajoneve të pushtuara sipas një kalendari të caktuar. Gjithnjë sipas memorandumit të arritur është rënë dakord për krijimin e një “Qendre të përbashkët” në tokat e Azerbajxhanit të çliruara nga pushtimi me qëllim mbikëqyrjen e respektimit të armëpushimit, thuhet në vijim të tekstit të mocionit presidencial.

Me kërkesë të Azerbajxhanit është vendosur që në këtë Qendër të Përbashkët të marrin pjesë bashkërisht edhe Turqia me Rusinë.

Me qëllim përmbushjen e zotimeve që burojnë nga dispozitat e Marrëveshjes Turqi-Azerbajxhan për “Partneritet Strategjik dhe Ndihmë të Ndërsjellët”, për vendosjen e armëpushimit dhe parandalimin e shkeljeve, vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, ruajtjen dhe mbrojtjen në mënyrë efektive të interesave të larta të Turqisë, mocioni kërkon nga parlamenti të votojë për autorizimin e Forcave të Armatosura Turke (TSK) për një vit për të dërguar trupa në vende të huaja për të vepruar në drejtim të realizimit të detyrave të Qendrës së Përbashkët.

Mocioni i Presidencës do të votohet në parlament të martën.

Marrëdhëniet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi Karabakun Malor kanë mbetur të tensionuara që nga viti 1991, por përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, kur Armenia filloi të sulmojë vazhdimisht civilët dhe forcat azerbajxhanase, madje duke shkelur edhe tre marrëveshje të armëpushimit humanitar.

Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se Azerbajxhani dhe Armenia kishin nënshkruar një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit në rajonin e Karabakut.

 


Lajme të ngjashme