Ankaraja: Kundërshtimi grek ndaj sondazheve tona sizmike nuk ka asnjë vlerë

Turqia hodhi poshtë si “të pavlefshme” një deklaratë të fundit nga Greqia mbi një anije turke të kërkimit sizmik që po vepron në ujërat turke në Mesdheun Lindor.

1526428
Ankaraja: Kundërshtimi grek ndaj sondazheve tona sizmike nuk ka asnjë vlerë

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, lëshoi të mërkurën vonë një deklaratë në përgjigje të pretendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë se veprimtaria e njoftuar së fundmi e anijes kërkimore “Oruc Reis” «është shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe minon paqen e stabilitetin në rajon».

“Këto deklarata bazohen në pretendimet maksimaliste të kufirit detar të Greqisë, të cilat janë në kundërshtim me ligjin e praktikat ndërkombëtare dhe janë të pavlefshme për ne (Turqinë)”, pohoi Aksoy.

Duke nënvizuar vendosmërinë e Turqisë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të saj dhe të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Aksoy i bëri thirrje Athinës që të merrte në konsideratë apelin e Turqisë për dialog pa parakushte.

“Nëse Greqia është e sinqertë me deklaratat e saj që bëjnë thirrje për zgjidhje në rajon, atëherë ajo duhet t'u përgjigjet pozitivisht thirrjeve tona për dialog pa parakushte në vend që të bëjë deklarata që do të rrisnin tensionet, të kryejë aktivitete ushtarake apo të mashtrojë dhe provokojë palët e treta kundër Turqisë”, thuhet në fund të deklaratës së zëdhënësit të MPJ turke.

Turqia lëshoi më 11 nëntor një tjetër NAVTEX për zonën në Mesdheun Lindor ku do të zhvillojë aktivitete kërkimore sizmike deri më datë 23 nëntor.

Sipas njoftimit, misioni që do të kryhet nga anija “Oruc Reis”, do të vazhdojë për 12 ditë duke filluar nga e mërkura e 11 nëntorit.

Anija do të kryejë sondazhe të ndryshme gjeologjike, gjeofizike, hidrografike dhe oqeanografike, veçanërisht në platformën kontinentale turke, si dhe do të bëjë kërkime për burime natyrore.



Lajme të ngjashme