Izmiri goditet nga një tërmet 6,6 ballësh, objekte të shembura dhe viktima

Një tërmet i fuqisë 6,6 ballë të shkallës Rihter goditi të premten qytezën Seferihisar të rrethit Izmir, në perëndim të Turqisë.

1518901
Izmiri goditet nga një tërmet 6,6 ballësh, objekte të shembura dhe viktima
izmir deprem.jpg
İZMİR DEPREM
İZMİR DEPREM
deprem izmir 2.jpg
deprem izmir.jpg

Sipas një njoftimi në uebfaqen e Departamentit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Situatave Emergjente (AFAD), një tërmet me magnitudë 6,6 ballë të shkallës Rihter është regjistruar në detin Egje, 17 km larg brigjeve të qytezës Seferihisar të Izmirit, në orën 14:51 me kohën lokale.

Bëhet e ditur se epiqendra e tërmetit ishte 16,54 km në thellësi të detit.

Të dhënat aktuale nga AFAD-i flasin për 12 të vdekur dhe 419 të plagosur.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan u uroi “qoftë e shkuar” të gjithë të prekurve nga tërmeti në Izmir.

“Ne jemi pranë qytetarëve të prekur nga tërmeti me të gjitha mundësitë e shtetit tonë. Jemi hedhur në veprim urgjentisht me të tëra institucionet dhe ministrin përkatës”, theksoi ai.

Murat Kurum, ministër i Mjedisit dhe Urbanistikës, ishte zyrtari i parë që konfirmoi shembjen e disa objekteve.

“Fatkeqësisht, u informuam për shembjen e 5 ndërtesave në Bornova dhe Bayrakli. Gjithashtu kemi qytetarë nën rrënoja. Një qendër për koordinimin e fatkeqësisë u ngrit menjëherë në Prefekturë. Të gjitha ministritë dhe AFAD-i janë orientuar drejt Izmirit dhe nënprefekturave të tij. Të gjitha skuadrat tona janë në gatishmëri për t’u shkuar në ndihmë qytetarëve sa më parë të jetë e mundur”, i shpreh ai.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, njoftoi se deri më tani kanë dijeni për shembjen e 6 ndërtesave në Bornova dhe Bayrakli të Izmirit.

“Me përjashtim të çarjeve të vogla në disa ndërtesa në rrethet Usak, Denizli, Manisa, Balikesir, Aydin dhe Muğla, nuk ka raportime për humbje jetësh”, saktësoi ai.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailoglu, vuri në pah se nuk ka asnjë pengesë në aspektin e transportit dhe komunikimit pas tërmetit.

Fatih Donmez, ministër i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore, theksoi se të gjitha ekipet e dikasterit të tij janë dërguar në zonën e fatkeqësisë menjëherë pas tërmetit.

“Skuadrat tona janë tashmë në terren për të eliminuar çdo problem të mundshëm në lidhje me furnizimin me energji”, potencoi ai.

Ndërsa kryebashkiaku i Izmirit, Tunç Soyer, bëri me dije se janë raportuar rreth 20 ndërtesa të shembura.

Prefekti i Izmirit, Yavuz Selim Kosger, deklaroi fillimisht se ende nuk kishin informacione për humbje jetësh dhe dëme materiale.

“Do të shkojmë në qendrën e menaxhimit të krizës dhe do t’ju përcjellim çdo informacion të mundshëm”, shtoi ai.

Kosger më pas njoftoi se në qytezën Bayrakli të Izmirit kanë nisur aktivitetet e kërkim-shpëtimit në një ndërtesë të shembur nga tërmeti.

Lëkundjet sizmike u ndjenë edhe në Stamboll.

“Tërmeti që ne ndjemë në Stamboll nuk ka shkaktuar ndonjë problem. Të shkuara gjithë qytetarëve tanë dhe Izmirit në veçanti”, shkroi Prefekti i Stambollit, Ali Yerlikaya, në median sociale.

Autoritetet e rretheve Edrene, Kirklareli dhe Tekirdag, ku tërmeti u ndje gjithashtu, theksuan se në zonën e Trakisë nuk është raportuar asnjë problem deri tani.

AFAD-i raporti në vijim 107 lëkundje pasuese, 21 prej të cilave mbi 4 ballë të shkallës Rihter, dhe se aktivitetet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në 17 ndërtesa të shkatërruara.


Fjalët Kyçe: #AFAD , #tërmet , #Izmir , #Turqia

Lajme të ngjashme