Erdogan: Pandemia COVID-19 është një reflektim i prishjes së ekosistemit

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të mërkurën se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) është një prej reflektimeve të prishjes së ekosistemit, përtej të qenit një problem shëndetësor.

1500879
Erdogan: Pandemia COVID-19 është një reflektim i prishjes së ekosistemit

Kreu i shtetit turk dërgoi një videomesazh në Samitin e Biolarmisë, organizuar në kuadër të aktiviteteve të sesionit 75. të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai tha se njerëzimi po kalon një periudhë të vështirë dhe të dhimbshme në shkallë globale.

“Në njërën anë ne po luftojmë me pandeminë e koronavirusit, një nga krizat më të mëdha shëndetësore të kohëve të fundit, ndërsa në anën tjetër po bëjmë përpjekje për të menaxhuar efektet negative të saj. Pandemia COVID-19 është një prej reflektimeve të prishjes së ekosistemit, përtej të qenit një problem shëndetësor”, u shpreh lideri turk.

Sipas tij, pandemia tregoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së biolarmisë dhe transmetimit të një bote të shëndetshme e të pastër për gjeneratat e ardhshme.

Erdogani tha më tej se vendi i tij, i shtrirë mbi tri breza klimatikë dhe tri zona biogjeografike me një larmi mjaft të pasur habitatesh natyrore, viteve të fundit ka intensifikuar aktivitetet për ruajtjen e kësaj pasurie duke shtuar pyjet dhe duke investuar për zhvillimin e larmisë biologjike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Presidenti theksoi edhe se Turqia është në frontin e luftës kundër ndryshimeve klimatike pavarësisht se përgjegjësia e saj historike është e papërfillshme.

“Megjithatë ne po mbështesim edhe përpjekjet globale për mbrojtjen, përdorimin e qëndrueshëm dhe restaurimin e biolarmisë”, shtoi ai.

Erdogani vuri në pah edhe se dekada e ardhshme do të përcaktojnë fatin e njerëzimit.

“Ne kemi nevojë për projekte inovative, efektive dhe praktike për mbrojtjen e larmisë biologjike që Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të bëhen realitet. Unë besoj se Korniza Globale e Larmisë Biologjike, për të cilën po punojmë aktualisht, do të përbëjë një udhërrëfyes që përfshin objektiva efektive dhe të orientuara në veprim për periudhën drejt vitit 2050. Asnjëherë nuk duhet t'i shohim mbrojtjen e biolarmisë dhe kontributin e tij në ekonomi si objektiva afatshkurtra. Ne duhet të inkurajojmë sektorin privat që të bëjë investime në këtë fushë duke rritur ndërgjegjësimin në të gjithë sektorët e ekonomisë, si dhe duhet të kthejmë në shanse problemet me të cilat përballemi”, potencoi kreu i shtetit turk.

“Turqia, e cila do të presë në vitin 2022 Konferencën 16. të Palëve të Konventës së OKB-së mbi Larminë Biologjike dhe do të marrë për 2 vite presidencën e radhës, në këtë proces do të luajë një rol pararojë për të ndërmarrë hapat e nevojshme për mbrojtjen e biolarmisë dhe përdorimin e qëndrueshëm të saj. Dekada e ardhshme do të përcaktojë fatin e njerëzimit. Mbrojtja e larmisë biologjike është e nevojshme për Objektiva e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, përfundoi Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme