Erdogan: Vazhdojmë t'i dalim zot turqishtes sonë duke përqafuar të gjitha pasuritë e saj

Lideri turk publikoi një mesazh urimi me rastin e Festës së Gjuhës Turke, e cila shënohet çdo 26 shtator.

1497419
Erdogan: Vazhdojmë t'i dalim zot turqishtes sonë duke përqafuar të gjitha pasuritë e saj

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të premten se është një burim krenarie të shohësh potencialin në rritje të turqishtes në të gjitha fushat, nga arsimi në kulturë dhe nga tregtia në komunikim.

Siç bën të ditur Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës, kreu i shtetit turk ka publikuar një mesazh me rastin e Festës së Gjuhës Turke, e cila shënohet çdo 26 shtator.

Pasi vuri në pah se turqishtja, një nga gjuhët më të lashta dhe më të përhapura të botës, demonstron sot vlerën, pasurinë dhe privilegjin e saj në një hapësirë gjeografike të gjerë me dialekte dhe variante të ndryshme; Erdogani tha se kombi turk i detyrohet turqishtes gjithashtu historinë e shkruar kulturore mijëravjeçare, traditën e pandërprerë shtetërore dhe akumulimin e qytetërimit universal.

Duke theksuar se gjuha, themel i kulturës dhe civilizimit, është padyshim elementi më përcaktues i identitetit dhe karakterit të një kombi; presidenti turk nënvizoi se është shumë e vështirë që një shoqëri, e cila humbet gjuhën, të mbrojë vlerat e tjera të saj.

“Teksa po përpiqemi që të ngrihemi mbi nivelin e qytetërimeve bashkëkohore në shkencë, teknologji, ekonomi, industri, tregti dhe në çdo fushë, ne duhet ta shohim gjuhën tonë si «frymën tonë kombëtare» dhe ta përvetësojmë atë. Me vetëdijen se gjuha është mjeti më i rëndësishëm për një shoqëri që të krijojë lidhje me të kaluarën e saj dhe të ecë drejt së ardhmes, ne duhet ta mbajmë gjallë turqishten tonë me të gjithë thellësinë dhe pasurinë e saj në çdo aspekt të jetës. Ndjeshmëria për të përdorur saktë dhe bukur gjuhën turke në çdo fushë, nga jeta e përditshme e deri në rrjetet sociale, do të jetë hapi më i rëndësishëm në transferimin e trashëgimisë së pasur gjuhësore që na është dhënë, tek brezat e ardhshëm”, vijon mesazhi i liderit turk.

Sipas tij, rëndësia e turqishtes, një gjuhë që flitet në një hapësirë gjeografike me shtrirje të gjerë nga Evropa deri në thellësitë e Azisë, po perceptohet çdo ditë e më mirë falë edhe peshës ndërkombëtare të Republikës së Turqisë.

“Është një krenari për ne të shohim potencialin në rritje të gjuhës turke në të gjitha fushat, nga arsimi në kulturë dhe nga tregtia në komunikim. Ne do të vazhdojmë t'i dalim zot turqishtes sonë me një koncept që përqafon të gjitha pasuritë e gjuhës sonë. Me këtë rast, uroj që 26 Shtatori – Festa e Gjuhës Turke – të jetë një mjet sensibilizimi për kombin tonë”, shkroi Erdogani në fund të mesazhit të tij.



Lajme të ngjashme