Altun: Turqia çdoherë është pro diplomacisë

Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës organizoi "Konferencën Ndërkombëtare të Mesdheut Lindor".

1496696
Altun: Turqia çdoherë është pro diplomacisë

Drejtori i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun bëri të ditur se Turqia çdoherë është pro diplomacisë.

Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës organizoi "Konferencën Ndërkombëtare të Mesdheut Lindor", ku u shqyrtuan vizioni i Turqisë për drejtësi dhe bashkëpunim në Mesdheun Lindor dhe efektet e kësaj në sistemin ndërkombëtar.

Në fjalën e tij të mbajtur në hapje me videokonferencë Fahrettin Altun tha se disa ish-fuqi koloniale e shihnin Mesdheun Lindor si 'vendlindjen e perandorisë së tyre të re', ndërsa shtoi se “Disa këtë rajon e cilësojnë si ‘pikë të re të konflikteve globale’. Mesdheu Lindor për Turqinë është një pjesë e Atdheut të Kaltër”.

“Gjatë muajve të fundit Turqia i dha një mesazh të qartë botës”, bëri të ditur Altun, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Ne e dimë që e drejta ndërkombëtare është në anën tonë. Gjithashtu dimë që ai që ngre lartë zërin nuk është gjithmonë i drejtë. Kjo është arsyeja pse Turqia, nën udhëheqjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, ka qenë gjithmonë në favor të diplomacisë”.

Altun tha se me vendosmërinë e Presidentit Erdogan dhe ndihmën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Kancelares gjermane Angela Merkel, Presidentit të Këshillit Evropian (BE) Charles Michel, është hapur hapësira për dialog dhe diplomaci.

Duke deklaruar se ata janë të kënaqur me mundësinë për të filluar bisedime eksploruese me Greqinë, Altun deklaroi se diplomacia është gjithmonë mënyra e duhur.

“Në periudhën e ardhshme, ne duhet të zvogëlojmë tensionin në Mesdheun Lindor dhe të ruajmë vrullin për një zgjidhje të drejtë dhe të përhershme së bashku. Për të rritur këtë vrull, hapi ynë tjetër duhet të jetë mbledhja e një konference rajonale që përfshin turqit qipriotë. Kjo është mënyra e vetme për të krijuar zgjidhje të favorshme dhe që burimet e rajonit t'i shërbejnë paqes”, bëri të ditur Altun.

Ai gjithashtu theksoi se shpresojnë se tensioni do të ulet dhe rajoni do të kthehet në një pellg paqeje dhe stabiliteti.

 


Lajme të ngjashme