Turqia mirëpret dhe mbështet Konferencën e Pajtimit Ndërpalestinez

Ankaraja zyrtare përshëndeti të premten takimin ndërpalestinez të mbajtur nën kryesinë e Presidentit të Palestinës, Mahmoud Abbas.

1484697
Turqia mirëpret dhe mbështet Konferencën e Pajtimit Ndërpalestinez

Konferenca e Pajtimit Ndërpalestinez u mbajt të enjten vonë përmes videokonferencës ndërmjet krerëve të grupeve palestineze në Ramallah dhe Bejrut. Në takim u trajtuan rrugët për të parandaluar planet e aneksimit të Bregut Perëndimor të okupuar nga Izraeli.

Takimi u mbajt në një kohë kur Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraeli njoftuan më 13 gusht një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve duke përfshirë edhe hapjen e ambasadave në territoret e njëri-tjetrit.

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë deklaroi përmes një komunikate me shkrim se rëndësia dhe përparësia e procesit të pajtimit është rritur më shumë pas incidenteve të fundit që synojnë “të likuidojnë kauzën palestineze dhe të minojnë vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete”.

“Ne mirëpresim Konferencën e Pajtimit Ndërpalestinez të mbajtur mbrëmjen e djeshme (3 shtator) nën kryesimin e Presidentit palestinez, Mahmoud Abbas dhe me pjesëmarrjen e partive dhe formacioneve politike palestineze. Turqia do të vazhdojë të inkurajojë përpjekjet drejt arritjes së unitetit dhe solidaritetit ndërmjet palëve e entiteteve palestineze edhe këtej e tutje siç është bërë në të kaluarën dhe do të vazhdojë të sigurojë të gjitha mjetet e mbështetjes për të mundësuar një zgjidhje të drejtë dhe të përhershme të konfliktit izraelito-palestinez”, theksohet në komunikatën e MPJ turke.

Autoritetet zyrtare dhe fraksionet e rezistencës palestineze kanë denoncuar marrëveshjen EBA-Izrael për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre duke thënë se ajo nuk i shërben kauzës palestineze dhe injoron të drejtat e palestinezëve.



Lajme të ngjashme