Turqia shpalli NAVTEX të ri, zgjati misionin e anijes “Oruç Reis” deri më 12 shtator

Misioni i anijes “Oruç Reis” u zgjat edhe për 11 ditë të tjera. Më parë, Turqia kishte njoftuar se misioni i anijes do të vazhdonte deri më 1 shtator.

1482630
Turqia shpalli NAVTEX të ri, zgjati misionin e anijes “Oruç Reis” deri më 12 shtator

 

Republika e Turqisë shpalli një NAVTEX (alarm lundrimi – NAVigational TEleX) të ri, ku anija sizmike “Oruç Reis” do të bëjë kërkime deri më datë 12 shtator.

Me këtë njoftim të ri, misioni i anijes “Oruç Reis” u zgjat edhe për 11 ditë të tjera. Më parë, Turqia kishte njoftuar se misioni i anijes do të vazhdonte deri më 1 shtator.

Sipas NAVTEX-it të ri, “Oruç Reis” do të kryejë aktivitete sizmike në zonën e shpallur më parë afër brigjeve të Qipros në Mesdheun Lindor së bashku me anijet e tjera turke të quajtura “Ataman” dhe “Cengiz Han”.

Anija e kërkimeve sizmike “Oruç Reis” ka kapacitet të bëjë çdo lloj kërkimi gjeologjik, gjeofizik, hidrografik, oqeanografik dhe sidomos kërkime në platformën kontinentale dhe për hidrokarbure.

“Oruç Reis” është ndër anijet e rralla në botë të kompletuara me të gjitha pajisjet dhe aparaturat e nevojshme, e aftë të bëjë kërkime gjeofizike, graviteti dhe magnetike dy e tredimensionale. Anija mund të realizojë operacione sizmike tredimensionale deri në 8.000 metra thellësi dhe operacione dydimensionale deri në 15.000 metra thellësi.

NAVTEX-i është një sistem i komunikimit detar që u mundëson anijeve të informojnë mjetet e tjera detare për praninë e tyre në një zonë të caktuar dhe për informacione të tjera.

Turqia rifilloi në gusht kërkimin e energjisë në Mesdheun Lindor, pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme në lidhje me përshenjimin e zonave të juridiksionit detar duke injoruar gjestin vullnetmirë të Turqisë në ndalimin e kërkimeve të saj.

Si kundërpërgjigje, Turqia e deklaroi marrëveshjen greko-egjiptiane “të pavlefshme” dhe autorizoi anijen “Oruc Reis” që të vazhdojë aktivitetet e saj në një zonë brenda platformës kontinentale turke.

Turqia i ka kundërshtuar vazhdimisht përpjekjet e Greqisë për të deklaruar një zonë ekonomike ekskluzive të bazuar në ishuj të vegjël pranë brigjeve turke duke shkelur interesat e Turqisë, vendit me vijën bregdetare më të gjatë në Mesdhe.

Ankaraja ka thënë gjithashtu se burimet energjetike pranë Qipros duhet të ndahen në mënyrë të drejtë ndërmjet Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV) dhe administratës grekoqipriote.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka theksuar se e vetmja zgjidhje për mosmarrëveshjen është ajo përmes dialogut dhe negociatave për të arritur një ndarje të burimeve sipas parimit “fito-fito” (win-win) dhe i ka kërkuar Athinës që të respektojë të drejtat e Turqisë.



Lajme të ngjashme