Çavusoglu: Turqia duhet të falënderohet

“Turqia duhet të falënderohet për përgjegjësitë që ajo ka sipërmarrë në lidhje me ndihmat humanitare dhe emigracionin”, tha Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, gjatë konferencës për shtyp me homologun zviceran, Ingazio Cassis.

1473363
Çavusoglu: Turqia duhet të falënderohet

 

Mevlut Çavusoglu deklaroi të premten vonë nga Zvicra, ku realizoi një vizitë zyrtare, se Turqia ka marrë përgjegjësi të mëdha përballë zhvillimeve në Libi e Siri.

I pyetur nga gazetarët “A do të jetë Turqia një fuqi ushtarake në Lindjen e Mesme?”, ministri Çavusoglu u përgjigj duke thënë se Turqia nuk ka synime mbi territoret e asnjë vendi, çon drejtësi kudo që shkon dhe punon për drejtësi e paqe.

“Nëse ju injoroni përpjekjet e Turqisë për paqe në Siri, një vend menjëherë pranë nesh, sidomos përpjekjet tona për 4 milionë refugjatët sirianë dhe 7 milionë njerëz të shpërngulur brenda Sirisë, e pastaj thoni që «Turqia ka hyrë në Siri», kjo është padrejtësi”, u shpreh ai.

Shefi i diplomacisë turke vuri në pah se mjedisi dhe situata e krijuar në Siri kërcënon gjithashtu Turqinë.

“Në rast se ju prisni që ne të dorëzohemi përballë një organizate terroriste, e cila na kërcënon nga shumë afër dhe vret qindra nga populli ynë me sulmet e atjeshme, kjo po ashtu është tepër e gabuar dhe një qasje iluzioniste. Kur na paraqitet një kërcënim, qoftë ky në veri të Irakut apo në Siri, ne e luftojmë atë”, shtoi ministri Çavusoglu.

Ai i cilësoi si “standard të dyfishtë” vlerësimet e lëvdatat për Turqinë kur ajo neutralizon rreth 4.000 terroristë të DAESH-it dhe kritikat ndaj saj kur lufton organizatën separatiste terroriste në Siri e Irak.

Sa i përket Libisë – vijoi Çavusoglu – Turqia në këtë vend bashkëpunon me qeverinë legjitime të pranuar nga Kombet e Bashkuara dhe nga vetë libianët.

“Pa ndihmën e Turqisë, sot kjo luftë do të shndërrohej në një luftë brenda Tripolit, brenda qytetit dhe mund të vazhdonte për 10 vite të tjera”, tha ai dhe tërhoqi vëmendjen se thirrja për armëpushim e Khalifa Haftarit, lider i forcave të armatosura ilegale në lindje të vendit, erdhi vetëm pas vendosjes së ekuilibrit në terren.

Kryediplomati turk potencoi më tej se vendi i tij e mbështet Libinë në kuadër të marrëveshjeve të ligjshme.

“Objektivi ynë atje nuk është të dislokojmë forca ushtarake dhe të shtiem në dorë vendin. Stabiliteti politik dhe paqja e këtushme është me rëndësi për të gjithë ne. Kjo është ajo për çfarë po përpiqemi ne”, saktësoi Çavusoglu.

Ministri i Jashtëm turk nënvizoi se Franca, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia po japin mbështetje për Haftarin e paligjshëm.

“Nëse ju injoroni dhe vini në pyetje përpjekjet e Turqisë për vendosjen e armëpushimit dhe paqes, në vend që t'iu kërkoni llogari këtyre përse ju mbështesni një person të jashtëligjshëm, atëherë ju bëni padrejtësi ndaj Turqisë. Qëndrimi ynë në lidhje me të gjitha këto çështje është i qartë, i kthjellët, transparent dhe në kuadër të së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.

Çavusoglu theksoi gjithashtu se Turqia, sikurse çdo shtet tjetër, përpiqet gjithashtu për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e saj.

“As që bëhet fjalë të angazhohemi në përpjekje kundër interesave të ndokujt. Turqia duhet të falënderohet për përgjegjësitë që ajo ka sipërmarrë në lidhje me ndihmat humanitare dhe emigracionin”, përfundoi shefi i diplomacisë turke.



Lajme të ngjashme