MPJ turke: As historia dhe as ndërgjegjja e popujve të rajonit s'do ta falin hipokrizinë e EBA-së

Turqia reagoi fuqishëm kundër marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit.

1472940
MPJ turke: As historia dhe as ndërgjegjja e popujve të rajonit s'do ta falin hipokrizinë e EBA-së

 

Ministria e Punëve të Jashtme theksoi në një komunikatë me shkrim se reagimi i fortë dhe i përbashkët që ka bërë populli dhe ekzekutivi palestinez për deklaratën e përbashkët që u njoftua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe EBA-ja e që parashikon normalizimin e plotë të marrëdhënieve Izrael-EBA, është i drejtë.

“Përpjekjet e EBA-së për të eliminuar me një vendim të njëanshëm Planin Arab të Paqes që u hartua nga Liga Arabe nën udhëheqjen e Arabisë Saudite në vitin 2002 dhe që mbështetet nga Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI), janë jashtëzakonisht shqetësuese”, thuhet në deklaratën e MPJ turke.

Ajo tërheq vëmendjen se paraqitja e deklaratës trepalëshe në fjalë si mbështetje ndaj kauzës palestineze s'ka kurrfarë besueshmërie.

Komunikata e MPJ turke vijon me këto fjalë: “EBA-ja, vend që përpiqet të bëjë llogari të fshehta nëpërmjet planit të SHBA-së, i cili është një pjellë dështake dhe nuk ka asnjë vlefshmëri, në këtë mënyrë po injoron edhe vullnetin e Palestinës. Udhëheqja e EBA-së në asnjë mënyrë nuk ka kompetencë të zhvillojë negociata në emër të Palestinës dhe të bëjë lëshime në lidhje me çështje jetike për Palestinën kundër pëlqimit të popullit dhe administratës palestineze. As historia dhe as ndërgjegjja e popujve të rajonit nuk do ta falin kurrë këtë sjellje hipokrite të EBA-së, e cila përpiqet ta paraqesë këtë si një sakrificë për Palestinën teksa tradhton kauzën palestineze për interesat e saj të ngushta”.

Marrëveshja e normalizimit EBA-Izrael

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të enjten se Izraeli dhe EBA-ja kanë arritur një marrëveshje për “normalizimin e plotë të marrëdhënieve”.

“Një përparim i madh sot! Një marrëveshje historike ndërmjet dy miqve tanë të mrekullueshëm, Izraelit dhe EBA-së”, deklaroi Trumpi përmes një postimi nga llogaria e tij zyrtare në rrjetin social “Twiter”.

Gjithashtu Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, citoi deklaratën e Trumpit nga llogaria e tij në median sociale duke thënë se “sot është një ditë historike”.

Ndërsa agjencia zyrtare e lajmeve të EBA-së (WAM) raportoi se dy vendet kanë rënë dakord për të përcaktuar “një udhërrëfyes të përbashkët” për vendosjen e marrëdhënieve dhe se zyrtarë nga të dyja vendet do të takohen gjatë javëve në vijim për të nënshkruar marrëveshje dypalëshe në fusha të ndryshme.

Pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë më 1994-n, EBA-ja është vendi i tretë arab që nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.



Lajme të ngjashme