Turqia reagon për mbylljen e shkollave të pakicave në Trakinë Perëndimore

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë thotë në një deklaratë të shkruar se 25 vitet e fundit Greqia vazhdon të mbyllë sistematikisht shkollat fillore të minoritetit turk në Trakinë Perëndimore.

1471725
Turqia reagon për mbylljen e shkollave të pakicave në Trakinë Perëndimore

Turqia ka shprehur reagimin e saj për mbylljen e 8 shkollave të pakicave në Greqi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoj (Hami Aksoy) në një deklaratë të shkruar që ka lëshuar vë në dukje se Greqia ka mbyllur sistematikisht shkollat fillore, që i përkasin Pakicës Turke në Trakinë Perëndimore për 25 vitet e fundit me pretekstin e masave shtrënguese në vend dhe numrit të pamjaftueshëm të nxënësve, përmes “pezullimit të përkohshëm” të aktivitetit mësimor në këto shkolla pa u konsultuar aspak me pakicën turke.

Aksoj thekson se shembulli i fundit i kësaj praktike është mbyllja e 8 shkollave fillore të tjera dhe jep informacionin se me këtë vendim të autoriteteve greke numri i shkollave fillore të minoritetit turk është reduktuar në 115 nga 231 që ka qenë 25 vjet më parë.

Pasi vë në dukje se Bashkimi Evropian (BE) gjithashtu vazhdon të qëndrojë spektator ndaj shkeljeve sistematike që u bëhen të drejtave të njeriut në Greqi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme deklaron:

"Kjo partikë e Greqisë është pjesë e politikës asimiluese dhe represive që vazhdon me dekada kundër Pakicës Turke në Trakinë Perëndimore. Ndërkohë, BE qëndron indiferent ndaj shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut në një shtet anëtar të tij".

Në vijim të komunikatës së shkruar Aksoj thotë se Turqia mbështet deklaratat e lëshuara nga institucionet dhe shoqatat e Minoritetit Turk në Trakinë Perëndimore dhe shton:

"Ne po e ngremë këtë çështje në vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut. Iniciativat tona pranë autoriteteve greke për të zgjidhur problemet arsimore të Pakicës Turke në Trakinë Perëndimore do të vazhdojnë me vendosmëri mbi bazën e parimit të reciprocitetit të vendosur nga Traktati i Lozanës".

 


Lajme të ngjashme