“Ne nuk pyesim askënd ku ta këndojmë ezanin apo Kuranin në Turqi”

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu tha se asnjë marrëveshje në Mesdheun Lindor nuk do të ishte e vlefshme pa Turqinë.

1428733
“Ne nuk pyesim askënd ku ta këndojmë ezanin apo Kuranin në Turqi”

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu tha se asnjë marrëveshje në Mesdheun Lindor nuk do të ishte e vlefshme pa Turqinë.

Çavusoglu vlerësoi zhvillimet në rendin e ditës në një program televiziv ku morri pjesë.

Ministri Çavusoglu në lidhje me zhvillimet në Mesdheun Lindor theksoi se qëllimi i Turqisë këtu është bashkëpunimi me të gjithë ndërsa për ndarjen e drejtë të pasurive përreth ishullit të Qipros tha se udhëheqja grekoqipriote duhet të arrijë në marrëveshje me Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV).

“Ne jemi për bashkëpunim me të gjithë në rajonin e Mesdheut Lindor, por deri më sot, vendet e tjera të rajonit si Greqia, Egjipti, Izraeli na kanë përjashtuar dhe kanë provuar të bashkëpunojnë mes tyre. Ne i paralajmëruam që çdo marrëveshje pa Turqinë është e pavlefshme dhe nuk do të sjellë rezultate. Këtë e dëshmuam me hapat që hodhëm. Nuk lejojmë fakte të kryera. Ejani tek ne në qoftë se dëshironi të bashkëpunoni në Mesdheun Lindor”, deklaroi shefi i diplomacisë turke.

Ndërkaq në lidhje me reagimin e Greqisë për këndimin e sures Fetih të Kuranit Famëlartë në Shën-Sofi gjatë kremtimit të përvjetorit të 567-të të ngadhënjimit në Stamboll, ministri Çavusoglu tha: “Ne nuk pyesim askënd ku ta këndojmë ezanin apo Kuranin në Turqi”.

Çavusoglu nënvizoi se Greqia është vendi i fundit të cilës Turqia do t’i japë mend në lidhje me këtë çështje, ndërsa shtoi se Athina është kryeqyteti i vetëm në Evropë, i cili nuk ka xhami.

“Shën-Sofia është pronë e Turqisë dhe është ngadhënjyer”, vlerësoi Çavusoglu.

Edhe gjatë vlerësimit të zhvillimeve në Libi, ministri Çavusoglu tha se lideri i forcave jolegjitime në lindje të vendit, Halife Haftar nuk i qaset zgjidhjes politike krizës në Libi dhe se ai mbështetet nga vendet si Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Franca.

Duke nënvizuar se Hafter kohët e fundit ka rritur agresionin e tij, shefi i diplomacisë turke tha se qeveria e Kryeministrit të Libisë, Fayiz Es-Saraj me anë të një kundërofensivë arriti të zmbraps Haftarin dhe vuri në dorë vendet e rëndësishme.

“Marrja e vijës bregdetare nga Tripoli në Tunizi, marrja e aeroporteve ndërkombëtare dhe përparimi nga ajri dhe toka tregon në thelb se Hafter nuk mund ta fitojë këtë luftë”, deklaroi Çavusoglu.

Ndërkaq Çavusoglu për humbjen e jetës së afroamerikanit, George Floyd si rezultat i dhunës policore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) tha: “Është e papranueshme që policia të vrasë në këtë mënyrë ndonjë person pavarësisht racës, fesë, besimit”.

Ministri deklaroi se aktualisht racizmi në ShBA vazhdon dhe shtoi: “Prandaj, drejtësia duhet të bëhet në atë mënyrë që të lehtësojë ndërgjegjen e të gjithëve në lidhje me policin që ka kryer këtë vrasje”.

Nga ana tjetër, Çavusoglu theksoi se shndërrimi i kësaj vrasje në vandalizëm nuk është e vërtetë dhe është shumë e rrezikshme.

“Pavarësisht se për kë bëhet fjalë, ne nuk e mbështesim shndërrimin e kësaj ngjarjeje në vandalizëm, jo ​​vetëm në ShBA, por në asnjë një vend tjetër. Shpresoj që të mbizotërojë ndërgjegjja. Ne bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje”, deklaroi Çavusoglu.

 


Lajme të ngjashme