Turqia hedh poshtë rezolutën e Parlamentit të Çekisë mbi ngjarjet e vitit 1915

Turqia dënoi të enjten një rezolutë të miratuar më 20 maj nga Senati i Parlamentit të Çekisë për ngjarjet e 1915-s.

1421677
Turqia hedh poshtë rezolutën e Parlamentit të Çekisë mbi ngjarjet e vitit 1915

Ministria e Punëve të Jashtme bëri me dije përmes një komunikate të shkruar se vendimi në fjalë tregon që mendësia e shtrembër, e cila dëmtoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në vitin 2017 dhe bazohet mbi retorika të njëanshme pa asnjë themel, është ende aktive në Çeki.

“Fakti që vendimi u mor në një mjedis me pak anëtarë në Senat, në një kohë kur e gjithë bota po lufton me pandeminë e koronavirusit, zbulon mentalitetin tinëzar që qëndron pas tij.

Është e pamundur të imponohet më shumë sesa një debat historik për ngjarjet e vitit 1915, siç përcaktohet në artikujt 173 dhe 231 të vendimit gjyqësor të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vitin 2015, përsëritur me një vendim të dytë në 2017-n.

Përpjekjet për të përkufizuar një çështje historike në interes të politikës dhe grupeve të caktuara janë të papranueshme. Ne u bëjmë thirrje atyre që duan të paraqesin një pikëpamje të njëanshme të historisë, që të marrin në konsideratë letrën e Presidentit Recep Tayyip Erdogan në adresë të patrikut të armenëve të Turqisë me rastin e 24 Prillit, ku shprehet një mirëkuptim për ndarjen e dhimbjeve të përbashkëta.

Ne e ftojmë Parlamentin e Çekisë që të respektojë dispozitat e Traktatit të Paqes së Lozanës, vendimet e gjykatës ndërkombëtare dhe burimet historike e aktuale të së drejtës ndërkombëtare.

Ky vendim që për ne s'ka asnjë vlerë, nuk është asgjë më tepër sesa një përpjekje e kotë e atyre që vrapojnë pas interesave ditore në përpjekje për ta shkruar historinë nga tavolina”, thuhet në deklaratën e MPJ turke, ku gjithashtu ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Tomas Petricek, citohet të ketë thënë se vendimi në fjalë “nuk pasqyron qëndrimin e qeverisë çeke”.



Lajme të ngjashme