Presidenti Erdogan thirrje vendeve turqishfolëse: Të përgatitemi për post-pandeminë

Në një takim mbajtur me videkonferencë me liderët e Këshillit Turk, Presidenti Erdogan ka theksuar se aktualisht i gjithë njerëzimi po zhvillon një luftë serioze kundër një armiku të padukshëm.

1395477
Presidenti Erdogan thirrje vendeve turqishfolëse: Të përgatitemi për post-pandeminë

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mori pjesë në Samitin e Jashtëzakonshëm të Liderëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Vendeve Turqishtfolëse (Këshilli Turk) me temë "Bashkëpunimi dhe solidariteti në luftën kundër pandemisë Covid-19", takim i cili mbajt me videokonferencë.

Erdoani theksoi se ndërsa vazhdon lufta me llojin e ri të koronavirusit (Covid-19), duhen bërë përgatitje edhe për post-pandemike (periudha pasi të ketë kaluar pandemia).

Duke thënë se i gjithë njerëzimi aktualisht po zhvillon një luftë të ashpër kundër një armiku të padukshëm, Presidenti Erdoan vuri në dukje se samiti i Këshillit Turk do të forcojë solidaritetin në luftën kundër koronavirusit. "Unë besoj se ne do të dalim më të fortë nga ky proces i vështirë",- nënvizoi udhëheqësi turk.

Erdoani sqaroi se Turqia i ka zbatuar masat parandaluese që ditën e parë që virusi filloi të përhapet dhe tha se deri më tani nuk janë përballur me ndonjë problem serioz.

"Përveç sigurimit të nevojave tona, ne përpiqemi të jemi pranë edhe vëllezërve tanë. Ne i konsiderojmë si përparësi kërkesat që vijnë nga ju," tha Presidenti Erdoan, duke shtuar se nën ndikimin e epidemisë, njerëzimi gjithashtu po përballet me një krizë socio-ekonomike të përmasave globale.

Duke nënvizuar se zgjidhjet më praktike duhet të zbatohen në fusha të tilla si: transporti, dogana dhe vendkalimet kufitare, duke marrë parasysh shëndetin e njerëzve, Erdoani sugjeroi që ministrat e transportit dhe tregtisë së shteteve anëtare [të Këshillit Turk] të mbajnë një takim me videokonferencë.

"Ne me siguri që do ta fitojmë luftën kundër koronavirusit. Ndërsa nga njëra anë ne vazhdojmë luftën tonë, nga ana tjetër duhet të bëjmë përgatitje për periudhën pas pandemisë. Ne kemi nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse, duke filluar që nga shëndetësia në tregti dhe nga ekonomia në psikologjinë sociale, të identifikojmë fushat e bashkëpunimit dhe të ndërmarrim me shpejtësi hapat e nevojshëm”, - tha gjithashtu Presidenti Rexhep Tajip Erdoan në takimin e liderëve të Këshillit Turk.



Lajme të ngjashme