Turqia kërkon bashkëpunim ndërkombëtar në luftën me COVID-19

Drejtori i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun, deklaroi të enjten se përhapja e koronavirusit të ri (COVID-19) në të gjithë botën s'duhet të lejohet që të pengojë bashkëpunimin dhe të shndërrojë vendet në struktura të izoluara.

1385753
Turqia kërkon bashkëpunim ndërkombëtar në luftën me COVID-19

Altun komentoi në “Twitter” efektet e mundshme të koronavirusit në bashkësinë ndërkombëtare dhe çfarë lloj hapash duhet të merren në konsideratë në një përpjekje për të minimizuar dëmin e tij.

“Ne s'duhet të lejojmë që ky virus t'i shtyjë vendet të krijojnë kufij të rinj që do të pengonin bashkëpunimin global. Nuk duhet ta lejojmë (virusin) që t'i kthejë kombet në shoqëri të izoluara”, shkroi ai.

“Presidenti (Recep Tayyip) Erdogan ka punuar shumë për të koordinuar jo vetëm reagimin tonë kombëtar, por edhe për të rritur përpjekjet për të krijuar një përgjigje globale. Solidariteti ndërkombëtar është një domosdoshmëri përballë një virusi vdekjeprurës që nuk ka lënë asnjë pjesë të botës të paprekur”, shtoi Altun.

Sipas tij, Turqia adresoi sfidat shëndetësore dhe gjithashtu i kushtoi vëmendje të madhe ndikimit ekonomik të virusit e aftësive të politikës së jashtme turke për të rritur koordinimin ndërkombëtar.

“Menaxhimi i krizës shëndetësore duhet të shkojë paralelisht me masat e rrepta të sigurisë dhe mbështetje ekonomike”, theksoi Fahrettin Altun.

Numri i të vdekurve nga lloji i ri i virusit korona në Turqi është 59 dhe i të infektuarve 2.433 gjithsej deri më tani.

Pas shfaqjes në qytetin Vuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, koronavirusi është përhapur në të paktën 200 vende dhe rajone të botës, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga më shumë se 487.600 raste të konfirmuara globalisht, numri i të vdekurve tani është mbi 22.000 dhe i personave të shëruar së paku 117.700.

Italia, Kina, Irani dhe Spanja vazhdojnë të jenë shtetet më të prekura, me SHBA-në në prag për t'u shndërruar në epiqendrën e re të pandemisë COVID-19.

Pavarësisht numrit në rritje të rasteve, një shumicë e madhe e të infektuarve nga koronavirusi vuajnë nga simptoma të buta dhe shërohen.



Lajme të ngjashme