Fahrettin Altun: Nuk do të pengojmë më kalimin e refugjatëve në Evropë

Turqia rikonfirmoi të martën njoftimin e saj të mëhershëm për të mos penguar kalimet e refugjatëve në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

1371080
Fahrettin Altun: Nuk do të pengojmë më kalimin e refugjatëve në Evropë

Drejtori i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun, postoi në rrjetin social “Twitter” një seri mesazhesh në lidhje me çështjen në fjalë.

Ai vuri në pah se Greqia sapo ka pezulluar statusin e mbrojtjes së përkohshme për refugjatët.

“Qëndrimi i Greqisë kundër refugjatëve në kufijtë e saj dhe në detin Egje, si dhe mosgarantimi i statusit të mbrojtjes së përkohshme për sirianët, nuk është vetëm një dështim i plotë për të ndihmuar ata që janë në kushte të dëshpëruara, por edhe një mohim i normave themelore ndërkombëtare dhe shpallje lufte kundër vlerave e parimeve të vetë Bashkimit Evropian. Ne do t’ua rikujtojmë këto nëse përpiqen sërish të na shesin moral në lidhje me këto vlera”, shkroi drejtoi i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë.

Fahrettin Altun theksoi gjithashtu se ushtria turke ka goditur një numër të madh impiantesh të armëve kimike në Siri.

“Prania e këtyre impianteve është provë e sesisë së mashtrimit të shoqërisë ndërkombëtare deri më tani. Bota duhet të lërë mënjanë qëndrimin e saj moskokëçarës dhe të vihet në veprim realisht ndaj këtij regjimi kriminel”, shtoi ai.

Sa i përket krizës së emigrantëve, e cila ka arritur një dimension të paparë ndonjëherë, Altun nënvizoi se shkaku i degradimit të saj deri në gjendjen e sotme është mungesa e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të BE-së me Turqinë.

“BE-ja nuk ka arritur të respektojë plotësisht marrëveshjen e vitit 2015 duke e braktisur Turqinë në vetmi dhe shpresuar që ne të parandalojmë orientimin e refugjatëve drejt Evropës. Ne tani s’do ta bëjmë më këtë! Evropa duhet të veprojë parimisht në lidhje me krizën e emigracionit, e cila është sfida më serioze e epokës sonë. Problemi nuk mund të zgjidhet duke u mohuar hyrjen mijëra refugjatëve që kërkojnë mbrojtje. Hapi i parë mund të bëhet duke filluar bashkëveprimin me Turqinë për të gjetur zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe një mobilizim të këtyre zgjidhjeve në shkallë evropiane”, vlerësoi ai.

Altun potencoi mes të tjerash edhe se Turqia është dhe do të jetë gjithnjë pranë të shtypurve.

“Turqia gjithmonë do të qëndrojë pranë të shtypurve. Kjo është ajo që ne po bëjmë në Siri. Populli ynë sakrifikoi shumë në 9 vitet e fundit dhe ende vazhdon të sakrifikojë. Por aleatët perëndimorë nuk po arrijnë të na mbështesin në një mënyrë të fuqishme. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të jemi shpresa e fundit për të shtypurit. Operacioni i Turqisë në Idlib synon të ndalë krizën humanitare. Ai gjithashtu synon të sigurojë integritetin territorial të Sirisë. Turqia nuk ka pretendime territoriale në Siri. Ne thjesht kërkojmë të parandalojmë një fluks të ri refugjatësh dhe të vendosim stabilitetin e paqen”, përfundoi kreu i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke.



Lajme të ngjashme