Ministrat Çavusoglu dhe Gul reaguan ashpër ndaj dënimit me burg të myftiut të zgjedhur në Ksanth

Ministrat e Punëve të Jashtme dhe Drejtësisë, Mevlut Çavusoglu dhe Abdulhamit Gul reaguan ndaj dënimit me 4 muaj burgim të myftiut të zgjedhur të Ksanthit, Ahmet Mete, i cili u akuzua për "uzurpim të postit zyrtar" në Greqi.

1367554
Ministrat Çavusoglu dhe Gul reaguan ashpër ndaj dënimit me burg të myftiut të zgjedhur në Ksanth

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu reagoi ndaj dënimit me 4 muaj burgim të myftiut të zgjedhur të Ksanthit, Ahmet Mete, i cili u akuzua për "uzurpim të postit zyrtar" në Greqi.

Në reagimin e bërë nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter, ministri Çavusoglu tha: “Në një vend anëtar të Bashkimit Evropian, një myfti i zgjedhur po vuan dënimin me burg për kryerjen e lutjes së varrimit! Në cilin vend të botës një prift, një rabin ose një klerik tjetër është privuar nga detyrimet fetare? Një zbatim i tillë nuk është parë as në regjimet më të këqija në botë”.

Edhe ministri i Drejtësisë, Abdulhamit Gul nëpërmjet llogarisë në Twitter reagoi ndaj dënimit me burg të myftiut Ahmet Mete.

“Dënimi me burg i myftiut të zgjedhur të Ksanthit, Ahmet Mete, për shkak se ‘ka falur namazin’ është një shembull konkret i mungesës së ligjit për turqit në Trakinë Perëndimore. Ne e dënojmë gjyqësorin grek dhe presim që të përfundojnë shkeljet e lirisë së fesë dhe të ndërgjegjes sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkruan ministri Gul në mesazhin e tij.

Gjykata e Apelit e Selanikut e dënoi myftiun e zgjedhur Ahmet Mete për “uzurpim të postit zyrtar” dhe “pengim të ceremonisë fetare” me 4 muaj burgim.

Ndërkaq gjykata shpalli të pafajshëm dhe liroi Erkan Azizoglu, imamin e xhamisë së fshatit Gokçepinar, i cili gjykohej për çështje të njëjtë me myftiun.

Ndërsa Ahmet Mete do të vuajë dënimin me burgim në qoftë se brenda 3 vitesh ai kryen ndonjë vepër penale.

Në Greqi, udhëheqësit fetarë të pakicës myslimane turke të Trakisë Perëndimore, myftinjtë dhe delegacionet administrative të fondacioneve të pakicave emërohen nga shteti.

Nga ana tjetër pakica turke, kundërshton këto praktika dhe dëshiron që të shërbejnë myftinjtë e zgjedhur prej tyre.

 


Lajme të ngjashme