Turqia OKB-së: Do të godasim objektivat kërcënuese në Idlib

Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në Kombet e Bashkuara (OKB) Feridun Sinirliollu tha se Turqia do t’i godasë të gjitha objektivat që përbëjnë kërcënim për të në rajonin Idlib të Sirisë.

1362877
Turqia OKB-së: Do të godasim objektivat kërcënuese në Idlib

Në fjalën e tij mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Feridun Sinirliollu (Sinirlioğlu) tha se sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Siri vazhdojnë nën pretekstin e "luftës kundër terrorizmit" dhe situata tragjike njerëzore ka arritur në nivele alarmante.

Feridun Sinirliollu theksoi se në 2 muajt e fundit janë shpërngulur afërsisht një milion njerëz dhe se kjo është zhvendosja më e madhe masive që ka ndodhur në luftën [civile] që vazhdon prej 9 vitesh në Siri.

"Gjenocidbërësi në Damask ka vrarë më shumë se 2.000 njerëz që nga dhjetori 2019, dhe këto akte përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit",- shtoi ambasadori i Turqisë në OKB.

Kampet e ngritura në Idlib janë të pamjaftueshme, ka nevojë urgjente për kampe të reja,- u shpreh Sinirliollu duke theksuar se për përballimin e këtyre nevojave Turqia po punon me OKB-në dhe Gjermaninë dhe më shumë se 9 milionë sirianëve u është ofruar kujdes dhe mbrojtje.

Ambasadori Feridun tha se sulmet e qëllimshme të regjimit ndaj forcave turke në Idlib vazhdojnë dhe se Turqia është kundërpërgjigjur në kuadër të vetëmbrojtjes legjitime ndaj këtyre sulmeve, ku kanë humbur jetën edhe 5 ushtarë të tjerë turq.

"Turqia do t’i godasë të gjitha objektivat kërcënuese (në Idlib). Ne nuk do t’i tërheqim ushtarët tanë dhe nuk do të tërhiqemi nga pika tona të vrojtimit [në Idlib]. Ai që duhet të tërhiqet nga pozicionet ekzistuese është regjimi [sirian]”,- përfundoi Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në OKB, Feridun Sinirliollu.

 


Lajme të ngjashme