Erdogan: Operacioni në Idlib është çështje momenti

Presidenti Recep Tayyip Erdogan prononcohet në lidhje me çështjen e Idlibit në Siri.

1362429
Erdogan: Operacioni në Idlib është çështje momenti

Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur se operacioni në Idlib është vetëm çështje momenti.

Presidenti Erdogan dhe njëherësh kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) mbajti një fjalim në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij.

Duke rikujtuar se negociatat me Rusinë në lidhje me dramën humanitare që po jetohet në Idlib po vazhdojnë ende, Erdogan tha: “Fatkeqësisht deri më tani nuk arritëm në rezultatet e dëshiruara. Megjithëse bisedimet do të vazhdojnë, është fakt se ato që ndodhen në tavolinën e bisedimeve janë larg nga ato që duam ne”.

Kreu i shtetit turk gjithashtu tha se është afër skadimi i afatit kohor për tërheqjen e forcave të regjimit në kufijtë e përcaktuara me Marrëveshjen e Soçit, ndërsa shtoi se Turqia ka bërë përgatitjet e duhura për të zbatuar planin e saj.

Duke vënë në dukje se me çdo rast kanë thënë që në qoftë se shtetet përkatëse në rajon nuk i përmbushin shqetësimet e Turqisë për sigurinë, atëherë do të kujdesen vetë për veten e tyre, Presidenti Erdogan tha: “Me fjalë të tjera operacioni në Idlib është vetëm çështje momenti”.

“Regjimit dhe atyre që e inkurajojnë, të cilët ende nuk e kanë kuptuar vendosmërinë e vendit tonë në këtë çështje, nuk do t’ua lëmë Idlibin. Ne nuk kemi ndërmend të ngarkojmë vendin tonë me barrën e zhvillimeve në këtë rajon. Pa marrë parasysh koston, jemi të vendosur që Idlibin ta bëjmë një vend të sigurt si nga aspekti i Turqisë ashtu edhe nga aspekti i banorëve të rajonit”, përfundoi Erdogan.

 


Lajme të ngjashme